Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka deklaruar se vonesat në pagesën e kujdestarive për profesionistët shëndetësorë lidhen me mosvotimin me kohë të buxhetit për këtë vit.
Ai bëri të ditur se këto pagesa do të realizohen në mënyrë retroaktive gjatë muajve në vijim.
“Në muajt në vijim do të paguhen të gjitha obligimet që kanë mbetur, edhe pse kjo nuk ka ndodhur për fajin tonë gjatë muajve të parë të vitit”, tha Vitia në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Sa i përket mos ekzekutimit të pagës së 13-të për specializantët që kanë pasur kontrata deri në janar, ministri tha se aktualisht nuk ka informacione lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, i pyetur për afatin e zbatimit të sigurimeve shëndetësore, Vitia theksoi se nuk do të bëhen premtime pa bazë, por shtoi se deri në muajin korrik pritet që të gjitha institucionet shëndetësore të pajisen me infrastrukturën e Sistemit Informativ Shëndetësor./Gazeta Shneta/




