Pirja e duhanit dhe përdorimi i cigareve elektronike gjatë shtatzënisë mund të dëmtojnë seriozisht shëndetin e nënës dhe të foshnjës. Këto zakone lidhen me rrezik më të lartë për abort, lindje të parakohshme, lindje të foshnjës me peshë të ulët dhe madje lindje të vdekur. Nuk ekziston një sasi e sigurt e duhanit apo vaping gjatë shtatzënisë.
Nikotina dhe kimikatet e dëmshme kalojnë përmes placentës tek foshnja. Çdo cigare e pirë ndikon drejtpërdrejt tek zhvillimi i saj.
Edhe cigaret elektronike përmbajnë substanca të rrezikshme si formaldehidi, acetoni dhe përbërës të tjerë toksikë që mund të shkaktojnë dëmtime në zemër, mushkëri dhe zhvillimin e përgjithshëm të bebit.
Pirja e duhanit ndikon edhe në fertilitetin e grave dhe burrave.
Tek gratë mund të vështirësojë mbetjen shtatzënë, të ulë prodhimin e qumështit të gjirit dhe të rrisë rrezikun për disa lloje kanceri. Tek burrat mund të ulë numrin e spermatozoideve, të shkaktojë probleme me ereksionin dhe dëmtime në ADN-në e spermës.
Edhe tymi pasiv është i rrezikshëm.
Qëndrimi pranë personave që pinë duhan ose përdorin vape rrit rrezikun për alergji, infeksione, probleme në zhvillim dhe sindromën e vdekjes së papritur tek foshnjat. Për këtë arsye, shtëpia dhe makina duhet të jenë ambiente pa duhan.
Mënyra më e mirë për të mbrojtur veten dhe foshnjën është ndërprerja e plotë e duhanit dhe vaping.
Kjo mund të arrihet duke ndaluar menjëherë ose duke e ulur gradualisht përdorimin, me ndihmën e mjekut, këshillimit profesional dhe mbështetjes familjare.
Disa terapi zëvendësuese me nikotinë mund të përdoren vetëm me këshillën e mjekut.
Nëse nuk arrini ta lini menjëherë, mos hiqni dorë. Çdo përpjekje është një hap drejt një shtatzënie më të sigurt dhe një foshnje më të shëndetshme.
Ky tekst është marrë nga burimi Pregnancy Birth Baby dhe është përkthyer dhe redaktuar nga Gazeta Shneta.


