Tre persona kanë vdekur në një anije turistike me flamur holandez në Oqeanin Atlantik, ndërsa autoritetet dyshojnë për infeksion me hantavirus – një virus i rrallë që zakonisht përhapet nga brejtësit.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Afrikën e Jugut, një pasagjer 70-vjeçar nga Holanda ka ndërruar jetë menjëherë pas mbërritjes në ishullin Shën Helena, ndërsa bashkëshortja e tij 69-vjeçare ka vdekur më vonë në një spital në Johanesburg. Një burrë i tretë gjithashtu ka humbur jetën.
Ndërkohë, një shtetas britanik 69-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë në terapi intensive në Johanesburg, i diagnostikuar me hantavirus. Dy anëtarë të ekuipazhit në bord janë gjithashtu të sëmurë, ndërsa tre persona të tjerë kanë shfaqur simptoma.
Kompania detare bëri të ditur se autoritetet lokale shëndetësore kanë hipur në anije për të ekzaminuar personat që shfaqin shenja të sëmundjes.
Eksperti australian i viruseve, Paul Griffin, ka deklaruar se në botë regjistrohen rreth 150 mijë deri në 200 mijë raste me hantavirus çdo vit, duke theksuar se përhapja nga njeriu tek njeriu është shumë e rrallë.
Hantavirusi shkakton ethe hemorragjike dhe zakonisht transmetohet përmes urinës ose feçeve të thata të brejtësve.
Megjithatë, Griffin paralajmëroi se situata në anije është “shumë e dyshimtë”, pasi mund të ketë ndodhur një formë e transmetimit të mëtejshëm.
Sipas tij, ambientet e mbyllura si anijet turistike krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e infeksioneve, për shkak të kontaktit të zgjatur mes njerëzve.
Ai shtoi se përmirësimi i praktikave të higjienës pas pandemisë COVID-19 e bën këtë shpërthim edhe më të pazakontë.
Anija turistike “MV Hondius” ishte nisur nga Argjentina tre javë më parë, duke transportuar pasagjerë drejt Ishujve Kanarie, pasi kishte vizituar Antarktidën dhe Ishujt Falkland. Në bord ndodhen rreth 150 pasagjerë dhe 70 anëtarë ekuipazhi.
Aktualisht, anija është ankoruar pranë Kepit të Gjelbër, në brigjet perëndimore të Afrikës, dhe deri më tani askush nuk është lejuar të zbresë./Gazeta Shneta/




