Një studim i ri ka treguar se ndjenjat e pendimit (keqardhjes) për vendimet e së kaluarës zbehen me kalimin e moshës, duke u bërë më pak të forta emocionalisht tek personat më të rritur.
Hulumtimi është publikuar në revistën shkencore “Emotion” dhe është realizuar nga studiues të Universitetit Tilburg në Holandë dhe Shoqatës Amerikane të Psikologjisë.
Sipas rezultateve, të rinjtë dhe të moshuarit mund të kenë një numër të ngjashëm pendimesh afatgjata, por tek personat më të moshuar këto ndjenja shoqërohen me më pak zemërim dhe frustrim.
Autorja kryesore e studimit, psikologia Julia Nolte, tha se pendimet janë shumë të zakonshme në jetën e njerëzve, por mënyra se si përjetohen ato ndryshon me moshën.
“Pothuajse të gjithë përjetojmë pendime të mëdha në jetë, por lajmi i mirë është se me kalimin e kohës këto ndjenja bëhen më pak negative”, ka deklaruar ajo.
Në studim morën pjesë 90 të rritur nga SHBA, të moshës 21 deri në 89 vjeç, të cilët u pyetën për pendime të fundit dhe ato afatgjata, si dhe për mënyrën se si i përjetojnë ato emocionalisht.
Rezultatet treguan se të moshuarit kanë më pak pendime të reja dhe përjetojnë më pak intensitet emocional kur mendojnë për gabimet e së kaluarës. Ata gjithashtu priren të pendohen më shumë për “mundësi të humbura” sesa për vendime të gabuara.
Studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar nëse këto ndryshime lidhen vetëm me moshën apo edhe me dallime mes brezave.


