Një studim i ri ka zbuluar se gjumi i çrregullt mund të ndikojë negativisht në zhvillimin njohës të fëmijëve parashkollorë, duke ulur aftësitë e tyre në fjalor dhe kujtesë.
Sipas hulumtimit, fëmijët që nuk ndjekin një orar të qëndrueshëm të gjumit kanë tendencë të performojnë më dobët në detyrat që lidhen me gjuhën dhe memorien, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Gjetjet janë publikuar në revistën shkencore “Sleep” dhe do të prezantohen në takimin vjetor të Akademisë Amerikane të Mjekësisë së Gjumit.
“Fëmijët me modele më të çrregullta të gjumit kishin rezultate më të dobëta në testet verbale dhe të kujtesës, edhe pasi u mor parasysh kohëzgjatja totale e gjumit,” tha autorja kryesore e studimit, Karolina Rusin nga Universiteti i Masaçusets Amherst.
Në studim u përfshinë 379 fëmijë me moshë mesatare katër vjeç. Studiuesit monitoruan zakonet e tyre të gjumit dhe vlerësuan aftësitë njohëse përmes testeve që matnin fjalorin, kujtesën, planifikimin dhe të menduarit.
Rezultatet treguan se kohëzgjatja e gjumit ndryshonte mesatarisht me gati një orë nga dita në ditë. Këto ndryshime u shoqëruan me rezultate më të ulëta në testet e fjalorit. Po ashtu, luhatjet në orarin e gjumit dhe mospërputhja me rutinën ditore u lidhën me performancë më të dobët në testet e kujtesës.
Megjithatë, aftësitë e planifikimit dhe organizimit, të njohura si funksione ekzekutive, nuk u ndikuan ndjeshëm nga gjumi i çrregullt.
Sipas studiuesve, nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë se si ndryshimet në orarin e gjumit ndikojnë në shëndetin njohës të fëmijëve në mosha dhe grupe të ndryshme. /Gazeta Shneta/


