Arrat dhe farat vajore njihen për vlerat e tyre ushqyese, por një studim i ri tregon se jo të gjitha mineralet që ato përmbajnë janë të disponueshme për t’u përthithur nga organizmi.
Hulumtimi, i realizuar nga studiues të Universitetit Federal të São Paulos (UNIFESP) në Brazil dhe i publikuar në revistën shkencore Química Nova, ka analizuar biodisponueshmërinë e mineraleve në arrat braziliane dhe arrat indiane (cashew).
Sipas studiuesve, prania e mineraleve në ushqim nuk garanton se ato do të përdoren nga organizmi. Për këtë arsye, ata simuluan në laborator procesin e tretjes njerëzore për të vlerësuar se sa nga këto lëndë ushqyese bëhen të disponueshme për përthithje.
Në studim u analizuan katër minerale thelbësore për shëndetin: bakri, magnezi, mangani dhe zinku.
Rezultatet treguan se pas procesit të simuluar të tretjes, rreth 56 për qind e bakrit dhe 52 për qind e magnezit të pranishëm në arrat indiane ishin të disponueshme për përthithje. Ndërkohë, tek arrat braziliane, rreth 50 për qind e bakrit dhe vetëm 28 për qind e magnezit rezultuan të përthithshme.
Sa i përket manganit dhe zinkut, studiuesit nuk arritën të identifikojnë sasi të mjaftueshme të disponueshme pas tretjes për të kryer matje të besueshme.
Sipas autorëve të studimit, këto rezultate tregojnë se vlera ushqyese e një ushqimi nuk duhet të vlerësohet vetëm nga sasia totale e mineraleve që përmban, por edhe nga aftësia e organizmit për t’i përthithur ato.
“Vlerësimi i ushqimit nuk duhet të kufizohet vetëm në përqendrimin total të lëndëve ushqyese. Është e rëndësishme të kuptohet se si këto elemente sillen gjatë tretjes për të vlerësuar disponueshmërinë reale të tyre për organizmin”, theksojnë studiuesit.
Ekspertët shtojnë se arrat e analizuara nuk duhet të konsiderohen si burimi i vetëm i këtyre mineraleve, por ato mund të kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në një dietë të balancuar dhe të larmishme.
Arrat janë të njohura për përmbajtjen e tyre të yndyrave të shëndetshme, proteinave, fibrave dhe antioksidantëve, ndërsa studimi i ri nënvizon rëndësinë e kuptimit më të thellë të mënyrës se si organizmi përfiton nga lëndët ushqyese që ato përmbajnë.


