Një studim i ri ka ngjallur interes të madh në komunitetin shkencor pasi përshkruan rastin e një gruaje 80-vjeçare me Alzheimer të avancuar, e cila përjetoi një përmirësim të jashtëzakonshëm të simptomave pas marrjes së psilocibinës – përbërësit aktiv të të ashtuquajturave “kërpudha magjike”.
Gruaja ishte diagnostikuar me demencë një dekadë më parë dhe gjendja e saj ishte rënduar ndjeshëm. Ajo vuante nga inkontinenca urinare, komunikonte vetëm me tinguj të thjeshtë, nuk mund të vishej vetë dhe kishte nevojë për ndihmë për të ecur dhe për t’u ushqyer, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Me miratimin e kujdestarëve ligjorë, ajo mori pjesë në një studim në Brazil dhe iu dha një dozë e lartë prej 5 gramësh kërpudhash që përmbajnë psilocibinë. Rreth 19 orë më vonë, sipas studiuesve, gruaja nisi spontanisht të fliste për kujtime personale dhe zhvilloi biseda që zgjatën me orë të tëra.
Në javët që pasuan, ajo rifitoi një pjesë të konsiderueshme të aftësive të humbura. Mund të ecte pa ndihmë, të vishej vetë, kishte më shumë shprehje emocionale dhe ndërvepronte më mirë me të tjerët. Pas një muaji, studiuesit administruan një dozë të dytë më të vogël, e cila u shoqërua sërish me përmirësime të dukshme.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky është vetëm një rast i izoluar dhe nuk përbën provë se psilocibina mund të shërojë ose të kthejë pas Alzheimerin. Për më tepër, diagnoza nuk u konfirmua me skanime të specializuara dhe simptomat e demencës mund të ndryshojnë natyrshëm me kalimin e kohës.
Sipas studiuesve, psilocibina mund të ndikojë përkohësisht në rrjetet nervore të trurit dhe të rikthejë disa funksione të humbura. Megjithatë, nevojiten studime shumë më të mëdha për të përcaktuar nëse ky efekt mund të përsëritet te pacientë të tjerë.
Për momentin, ekspertët theksojnë se bëhet fjalë për një përmirësim të përkohshëm dhe jo për një kurë të provuar ndaj Alzheimerit. /Gazeta Shneta/


