Një studim i madh i publikuar në revistën shkencore Nature ka zbuluar se kohëzgjatja e gjumit mund të ndikojë drejtpërdrejt në shpejtësinë me të cilën plaken organet e trupit.
Studiuesit analizuan të dhënat e rreth 500 mijë pjesëmarrësve nga baza britanike UK Biobank dhe vlerësuan moshën biologjike të 17 organeve dhe sistemeve të ndryshme të organizmit, shkruan Verywell, transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se ritmi më i ngadaltë i plakjes biologjike u vu re te personat që flinin mesatarisht nga 6.4 deri në 7.8 orë në natë.
Në të kundërt, si gjumi më pak se 6 orë, ashtu edhe ai mbi 8 orë, u shoqëruan me plakje më të shpejtë të organeve të ndryshme, përfshirë trurin, mëlçinë, mushkëritë, sistemin imunitar dhe pankreasin.
Sipas studiuesve, mungesa e gjumit nxit inflamacionin, stresin biologjik dhe çrregullimet metabolike, ndërsa gjumi i tepërt mund të jetë shenjë e problemeve të fshehura shëndetësore, përfshirë çrregullimet neurologjike dhe depresionin.
Ekspertët theksojnë se jo vetëm kohëzgjatja, por edhe cilësia e gjumit është e rëndësishme për ruajtjen e shëndetit afatgjatë.
Megjithatë, ky studim përforcon idenë se një gjumë i rregullt dhe i mjaftueshëm është një nga faktorët kryesorë që ndikon në jetëgjatësinë dhe plakjen e shëndetshme. /Gazeta Shneta/


