Diabeti i tipit 2 është një sëmundje kronike metabolike që shfaqet kur organizmi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë ose nuk e përdor atë në mënyrë efektive, duke shkaktuar rritje të sheqerit në gjak. Trajtimi zakonisht bazohet në një kombinim të barnave të synuara dhe ndryshimeve në stilin e jetesës, veçanërisht përmes një diete që ndihmon në kontrollin e peshës dhe stabilizimin e nivelit të glukozës dhe kolesterolit.
Studime të fundit sugjerojnë se disa ushqime të zakonshme dhe mjete natyrale mund të ndikojnë pozitivisht në disa aspekte shëndetësore të lidhura me diabetin, përfshirë yndyrnat në gjak, sheqerin dhe presionin e gjakut, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i realizuar nga Universiteti i Bonit në Gjermani ka treguar se një dietë dyditore me tërshërë mund të ulë ndjeshëm nivelin e kolesterolit LDL, i njohur si kolesteroli “i keq”. Në këtë studim, pjesëmarrësit konsumuan rreth 300 gram tërshërë në ditë për dy ditë rresht dhe arritën një ulje prej rreth 10% të LDL-së.
Studiuesit shpjegojnë se ky efekt lidhet me përbërësit bioaktivë të tërshërës dhe ndërveprimin e tyre me mikroorganizmat e zorrëve, të cilët prodhojnë substanca që ndikojnë në metabolizmin e kolesterolit.
Një tjetër studim sugjeron se konsumimi i një avokadoje në ditë mund të përmirësojë kontrollin e sheqerit në gjak, duke ulur ngarkesën glicemike të dietës. Avokadot janë të pasura me fibra dhe yndyra të pangopura të shëndetshme, të cilat rrisin ndjenjën e ngopjes dhe mund të zvogëlojnë marrjen e ushqimeve më pak të shëndetshme gjatë ditës.
Ndërkohë, një hulumtim tjetër ka sugjeruar se vaji i mentes mund të ndihmojë në uljen e presionit të gjakut, një problem i shpeshtë tek personat me diabet të tipit 2.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto rezultate nuk zëvendësojnë trajtimin mjekësor standard, por mund të shërbejnë si mbështetje shtesë brenda një diete të balancuar dhe një stili jetese të shëndetshme. /Gazeta Shneta/


