Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Mjeku i Javës: Dr. Zarife Rexha flet për rrezikun nga temperaturat e larta për pacientët me sëmundje kardiovaskulare

Mjeku i javës 29/06/2026
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Temperaturat e larta që kanë përfshirë Kosovën dhe rajonin gjatë ditëve të fundit po rrisin rrezikun për komplikime shëndetësore, veçanërisht tek pacientët me sëmundje kardiovaskulare dhe sëmundje të tjera kronike. Mjekët paralajmërojnë se ekspozimi në vapë, dehidratimi dhe mosrespektimi i këshillave mjekësore mund të çojnë deri në gjendje që kërkojnë trajtim urgjent.

Në rubrikën “Mjeku i Javës”, internistja-kardiologe në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Dr. Zarife Rexha, flet për ndikimin e temperaturave të larta te pacientët me sëmundje të zemrës, rastet që po trajtohen në Emergjencë gjatë valëve të të nxehtit, kategoritë më të rrezikuara, rëndësinë e hidratimit dhe masat që duhet të ndërmarrin qytetarët për të shmangur komplikimet serioze.

Intervista e plotë:

Gazeta Shneta: Temperaturat e larta po shoqërojnë edhe këtë verë. Si ndikojnë ato te pacientët me sëmundje kardiovaskulare dhe sa i madh është rreziku për përkeqësimin e gjendjes së tyre?

Dr. Zarife Rexha: Temperaturat e larta ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin kardiovaskular. Për të ruajtur temperaturën normale të trupit, organizmi zgjeron enët e gjakut dhe rrit djersitjen, gjë që çon në humbje të lëngjeve dhe elektroliteve. Si rezultat, zemra detyrohet të punojë më shumë për të ruajtur qarkullimin normal të gjakut. Tek pacientët me hipertension arterial, sëmundje koronare, insuficiencë të zemrës ose çrregullime të ritmit, ky mekanizëm mund të shkaktojë përkeqësim të gjendjes klinike, duke rritur rrezikun për anginë pectoris, infarkt të miokardit, aritmi, dekompensim të insuficiencës kardiake dhe madje vdekje kardiovaskulare. Studime të shumta kanë treguar se gjatë valëve të të nxehtit rritet ndjeshëm numri i shtrimeve në spital dhe mortaliteti tek pacientët me sëmundje kardiovaskulare.

Bazuar në përvojën tuaj në Emergjencën e QKUK-së, a vëreni rritje të rasteve të pacientëve me probleme të zemrës gjatë ditëve me temperatura ekstreme? Cilat janë problemet më të shpeshta?

Dr. Zarife Rexha: Po. Gjatë periudhave me temperatura shumë të larta vërehet një shtim i pacientëve që paraqiten në Emergjencë me simptoma të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me efektet e të nxehtit. Problemet më të shpeshta përfshijnë episode hipotensioni për shkak të dehidratimit, sinkopa dhe gjendje presinkopale, çrregullime të ritmit të zemrës, veçanërisht fibrilacion atrial, përkeqësim të insuficiencës së zemrës, dhimbje gjoksi si dhe çrregullime elektrolitike, sidomos hiponatremi dhe hipokalemi. Pacientët e moshuar dhe ata me shumë sëmundje shoqëruese paraqesin rrezikun më të madh për komplikime serioze.

Përveç pacientëve me sëmundje të zemrës, cilat kategori të personave me sëmundje kronike janë më të rrezikuara nga i nxehti dhe pse?

Dr. Zarife Rexha: Rrezik të shtuar kanë pacientët me diabet mellitus, sëmundje kronike të veshkave, sëmundje kronike të mushkërive si COPD dhe astma, pacientët me sëmundje neurologjike, personat me obezitet dhe të moshuarit mbi 65 vjeç. Tek këta pacientë mekanizmat e termorregullimit janë të dëmtuar ose kapaciteti rezervë i organeve është i kufizuar. Për më tepër, shumë prej tyre përdorin barna si diuretikët apo antihipertensivët, të cilët mund të favorizojnë dehidratimin ose çrregullimet elektrolitike.

Cilat janë shenjat paralajmëruese që nuk duhet të neglizhohen dhe që kërkojnë paraqitje të menjëhershme në institucion shëndetësor?

Dr. Zarife Rexha: Shenjat alarmante janë dhimbja ose shtrëngimi në gjoks, vështirësia në frymëmarrje, humbja e vetëdijes, marramendja e rëndë, palpitacionet e forta ose ritmi shumë i çrregullt i zemrës, temperatura trupore mbi 40 gradë Celsius, konfuzioni, përgjumja ose çrregullimi i vetëdijes, mungesa e djersitjes me lëkurë shumë të nxehtë dhe ulja e ndjeshme e urinimit. Këto mund të jenë shenja të goditjes nga nxehtësia, infarktit akut, aritmive serioze ose dehidratimit të rëndë dhe kërkojnë trajtim urgjent.

 Sa ndikojnë dehidratimi dhe ekspozimi i zgjatur në diell në përkeqësimin e gjendjes së pacientëve me sëmundje kronike?

Dr. Zarife Rexha: Dehidratimi është një nga faktorët kryesorë që çon në komplikime gjatë verës. Humbja e lëngjeve ul volumin qarkullues të gjakut, rrit viskozitetin e tij dhe favorizon formimin e trombeve. Kjo rrit rrezikun për infarkt të miokardit dhe insult cerebral. Ekspozimi i zgjatur në diell shkakton gjithashtu rritje të temperaturës trupore, lodhje të zemrës dhe çrregullime të funksionit renal. Tek pacientët kronikë këto ndryshime mund të çojnë në dekompensim të sëmundjes bazë dhe nevojë për hospitalizim.

 A duhet pacientët që marrin terapi për tensionin e lartë, insuficiencën e zemrës apo sëmundje të tjera kronike të bëjnë ndryshime në trajtim gjatë ditëve të nxehta?

Dr. Zarife Rexha: Në asnjë rast pacientët nuk duhet ta ndërpresin ose ta ndryshojnë terapinë me iniciativën e tyre. Tek disa pacientë, sidomos ata që marrin diuretikë ose kanë insuficiencë të zemrës, mjeku mund të vlerësojë nevojën për rregullim të dozave bazuar në tensionin arterial, funksionin e veshkave, peshën trupore dhe gjendjen hidrike. Prandaj rekomandohet monitorim më i shpeshtë i tensionit arterial dhe konsultim me mjekun nëse paraqiten marramendje, hipotension ose humbje e madhe e lëngjeve.

Çfarë masash parandaluese rekomandoni për pacientët me sëmundje kardiovaskulare dhe kronike gjatë valëve të të nxehtit?

Dr. Zarife Rexha: Rekomandoj që të shmangin daljet nga ora 11:00 deri në 17:00, të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të konsumojnë lëngje sipas rekomandimit të mjekut, të veshin rroba të lehta dhe me ngjyra të çelëta, të përdorin kapelë dhe krem mbrojtës, të shmangin aktivitetin fizik intensiv në vapë, të monitorojnë tensionin arterial dhe të vazhdojnë terapinë sipas udhëzimit të mjekut.

Sa i rëndësishëm është hidratimi për këta pacientë dhe a ka raste kur marrja e lëngjeve duhet të kontrollohet sipas këshillës së mjekut?

Dr. Zarife Rexha: Hidratimi është shumë i rëndësishëm gjatë verës, por duhet të jetë i përshtatur për secilin pacient. Shumica e njerëzve duhet të shtojnë marrjen e lëngjeve gjatë vapës, ndërsa pacientët me insuficiencë të zemrës ose sëmundje të rënda të veshkave nuk duhet ta bëjnë këtë pa këshillën e mjekut. Tek ata, si mungesa e lëngjeve ashtu edhe konsumimi i tepërt i ujit mund të shkaktojnë komplikime serioze. Prandaj, hidratimi duhet të jetë i balancuar dhe i përshtatur sipas gjendjes shëndetësore të secilit pacient.

 Cilat janë gabimet më të shpeshta që bëjnë pacientët gjatë verës dhe që mund të çojnë në komplikime serioze shëndetësore?

Dr. Zarife Rexha: Gabimet më të zakonshme janë ndërprerja e barnave pa konsultim me mjekun, moskonsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve, ekspozimi në diell gjatë orëve më të nxehta, aktiviteti fizik intensiv në temperatura të larta, konsumimi i alkoolit, mosmonitorimi i tensionit arterial dhe glicemisë, si dhe neglizhimi i simptomave të para paralajmëruese. Këto veprime mund të çojnë në komplikime serioze, veçanërisht tek pacientët me sëmundje kronike.

Çfarë mesazhi do t’u përcillnit qytetarëve, veçanërisht personave me sëmundje kronike, për ta kaluar këtë periudhë të nxehtë sa më sigurt?

Mesazhi im është që temperaturat e larta nuk duhet të nënvlerësohen. Për pacientët me sëmundje kronike, vala e të nxehtit mund të jetë një faktor serioz rreziku. Kujdesi ndaj hidratimit, shmangia e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta, respektimi i terapisë së përshkruar dhe konsultimi i hershëm me mjekun në rast simptomash janë masat më të rëndësishme për të parandaluar komplikimet.

Artikulli paraprakTheren me thikë dy 19-vjeçarë në Prizren
Artikulli i rradhës Temperaturat e larta, IKShPK me apel për qytetarët: Ndiqni këto masa mbrojtëse

Ju sugjerojmë

Mjeku i Javës: Dr. Albana Bislimi Krasniqi flet për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe sfidat e furnizimit me gjak në Kosovë

22/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Rreze Serhati-Morina flet për sëmundjet e tiroides, simptomat dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë

15/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Osman Ramadani: Sëmundjet kardiovaskulare, faktorët e rrezikut dhe rëndësia e parandalimit.

08/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Sevdail Mustafa – Trajtimi i hernieve te të rinjtë

01/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Adriatik Lajçi flet për hernien inguinale, simptomat dhe trajtimin kirurgjikal

25/05/2026 Mjeku i javës

Mjeku i javës: Dr. Afërdita Latifi flet për çrregullimet psikiatrike organike

19/05/2026 Mjeku i javës
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, PN, Prishtinë

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.