Një anketë e re rajonale e publikuar sot nga UNFPA, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsi, ka thyer mitet e zakonshme se të rinjtë nuk kanë interes për të krijuar familje. Të dhënat e reja zbulojnë se të rinjtë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, përfshirë Kosovën, i japin një rëndësi të jashtëzakonshme martesës dhe prindërimit, por përballen me pengesa të ashpra strukturore që ua pamundësojnë realizimin e këtyre synimeve.
Sipas Anketës Globale për të Ardhmen Demografike, rreth 79 për qind e të rinjve në rajon dëshirojnë të martohen dhe shumica dërrmuese synojnë të kenë dy ose më shumë fëmijë, duke e konsideruar familjen si shtyllë të lumturisë së tyre. Megjithatë, kur arrijnë në fund të të 30-ave, planet e tyre mbeten kryesisht të parealizuara. Më shumë se 22 për qind e grave të moshës 35–39 vjeç në rajon nuk kanë fëmijë, dhe në 95 për qind të rasteve ky nuk është një zgjedhje personale, por pasojë e rrethanave të vështira. Hendeku midis dëshirës dhe realitetit është i madh, duke bërë që gratë të kenë mesatarisht 1.25 fëmijë më pak se sa do të donin, ndërsa burrat afër dy fëmijë më pak, me Ukrainën që shënon rënien më të theksuar.
Anketa nxjerr në pah se të rinjtë ndjekin një renditje strikte etapash përpara se të bëhen prindër, ku punësimi dinjitoz duhet të vijë përpara banimit të pavarur, banimi përpara një partneriteti të qëndrueshëm dhe ky i fundit përpara prindërimit. Kur mungon njëra nga këto hallka, si mungesa e një pune stabile apo pamundësia për të blerë një banesë, të gjitha hapat e tjerë bllokohen ose shtyhen përgjithmonë.
Drejtoresha Rajonale e UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, Florence Bauer, u shpreh se kjo anketë tregon qartë pse politikat që përpiqen të ndikojnë në vendimet e të rinjve përmes stimujve ose presionit nuk funksionojnë, pasi ato ndërhyjnë në fazën e gabuar, në fund të zinxhirit. Ajo theksoi se qeveritë duhet të hartojnë politika që heqin pengesat reale në punësim, banim, shëndetësi dhe rolet gjinore brenda familjes, në mënyrë që të rinjtë të realizojnë aspiratat e tyre. Pengesat kryesore të listuara nga vetë të rinjtë janë pasiguria financiare, krizat ekonomike, mungesa e banimit të përshtatshëm dhe shqetësimet për shpërndarjen e pabarabartë të punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve. Pavarësisht këtyre sfidave, të rinjtë e rajonit tonë mbeten optimistë, ku 65 për qind e tyre shprehen pozitivë për të ardhmen, duke lënë pas bashkëmoshatarët në Evropën Perëndimore.
Ky studim u realizua përgjatë vitit 2025 me mbi 13,500 pjesëmarrës të moshës 18–39 vjeç në 11 vende dhe territore të rajonit.



