Gjithnjë e më shumë prova shkencore po tregojnë se ushqimet ultra të përpunuara (UPF) mund të dëmtojnë shëndetin, por mënyra se si ato ndikojnë në organizëm nuk është kuptuar plotësisht. Një studim i ri ka zbuluar se personat që konsumojnë më shumë ushqime të tilla kanë ndryshime në metabolitët e gjakut, me nivele më të larta të yndyrave të dëmshme dhe më pak acide yndyrore të dobishme.
Studimi sugjeron se konsumimi i lartë i UPF-ve mund të nxisë prodhimin e kolesterolit dhe të pengojë përpunimin normal të yndyrave në trup, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Ushqimet ultra të përpunuara janë produkte industriale që përmbajnë aditivë dhe zakonisht kanë sasi të larta yndyre, sheqeri, karbohidratesh, kripe dhe kalorish. Në këtë kategori hyjnë pijet e gazuara, ushqimet e paketuara të ëmbla dhe të kripura, produktet e mishit të përpunuar dhe ushqimet e ngrira të gatshme.
Studimi, i publikuar në revistën “Critical Reviews in Food Science and Nutrition”, analizoi të dhëna nga mbi 15 mijë persona pjesë e studimit të madh evropian ‘EPIC’, i cili përfshinte më shumë se 520 mijë vullnetarë nga 10 vende evropiane.
Studiuesit përdorën sistemin NOVA për të klasifikuar ushqimet sipas nivelit të përpunimit dhe analizuan lidhjen mes konsumimit të UPF-ve dhe ndryshimeve metabolike në gjak.
Rezultatet treguan se personat me konsum më të lartë të ushqimeve ultra të përpunuara kishin më shumë produkte yndyrore që lidhen me dëmtimin e funksionit të mitokondrive dhe metabolizmit të acideve yndyrore. Në të njëjtën kohë, ata kishin nivele më të ulëta të yndyrave të dobishme, veçanërisht omega-3 si DHA, që është e rëndësishme për shëndetin e zemrës dhe trurit.
“Ushqimi lë gjurmë të matshme në metabolizmin tonë dhe ushqimet ultra të përpunuara duket se lënë një profil të veçantë biologjik”, tha autorja kryesore Jessica Blanco-López.
Ekspertët rekomandojnë një dietë të bazuar kryesisht në ushqime minimalisht të përpunuara, aktivitet fizik të rregullt, gjumë të mjaftueshëm dhe shmangien e duhanit si bazë për një plakje më të shëndetshme. /Gazeta Shneta/


