Magjistri i shkencave të kimisë dhe profesori i kësaj lënde në Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj, Njazi Hyseni, ka reaguar për pyetjet e kimisë në testin e konkursit të pranimit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.
Sipas Hysenit, pyetja me numër 16 është formuluar gabimisht duke shkaktuar një anomali edhe në përgjigje.

“Tek alternativat, asnjëri nga komponimet nuk ka 3 atome karboni, siç sugjeron formulimi i pyetjes. Ato kanë 2 atome karboni (eteni dhe etini), dhe 4 atome karboni (butani dhe ciklobutani). Pyetja kërkon të gjendet komponimi me këndin më të madh të lidhjes C–C–C (Karbon–Karbon–Karbon). Është e qartë se hartuesi ka synuar të testojë njohuritë mbi gjeometrinë molekulare (alkanet ≈109.5°, alkenet ≈120° dhe alkinet 180°). Mirëpo, duke përfshirë etenin dhe etinin si alternativa, është anashkaluar fakti se këto molekula kanë vetëm dy atome karboni, prandaj në to nuk ekziston këndi C–C–C”, ka shkruar Hyseni.
Më poshtë e gjeni reagimin e tij të plotë:
REAGIM: Një anomali serioze shkencore në testin e pranimit në Fakultetin e Mjekësisë (Pyetja 16)
Nuk besoj që bëhet me qëllim, por testi i provimit pranues në Fakultetin e Mjekësisë nga lënda e Kimisë pothuajse çdo vit përmban pyetje diskutabile, të cilat shpesh bëhen temë debati, qoftë në media, qoftë në diskutime të tjera profesionale.
Edhe këtë vit, testi nga kjo lëndë ka disa mospërputhje. Formulimi i pyetjes 16 (që e shihni në foto), në njërin nga grupet që analizova, përmban një gabim të rëndësishëm shkencor dhe logjik në përzgjedhjen e alternativave.
Tek alternativat, asnjëri nga komponimet nuk ka 3 atome karboni, siç sugjeron formulimi i pyetjes. Ato kanë 2 atome karboni (eteni dhe etini), dhe 4 atome karboni (butani dhe ciklobutani).
Pyetja kërkon të gjendet komponimi me këndin më të madh të lidhjes C–C–C (Karbon–Karbon–Karbon). Është e qartë se hartuesi ka synuar të testojë njohuritë mbi gjeometrinë molekulare (alkanet ≈109.5°, alkenet ≈120° dhe alkinet 180°). Mirëpo, duke përfshirë etenin dhe etinin si alternativa, është anashkaluar fakti se këto molekula kanë vetëm dy atome karboni, prandaj në to nuk ekziston këndi C–C–C.
Nga ana tjetër, butani dhe ciklobutani kanë nga 4 atome karboni. Në butan, tre atome karboni janë të lidhura njëri pas tjetrit (C–C–C), ndërsa në ciklobutan atomet e karbonit janë të lidhura në formë unaze, duke formuar gjithashtu kënde C–C–C.
Për këtë arsye, alternativa më logjike do të ishte A (Butani), sepse, edhe pse ka formulën C₄H₁₀, ai përmban segmentin C–C–C të kërkuar në pyetje dhe të gjitha lidhjet janë njëfishe, ashtu si paraqitet në formulim.
Cilën alternativë ka pasur ndër mend komisioni si të saktë? Butanin (≈109.5°), ciklobutanin (≈90°), etenin (≈120°) apo etinin (180°)? Nuk e di. 🫣
Për mendimin tim, kjo pyetje është formuluar në mënyrë të gabuar dhe lë vend për interpretime të ndryshme. Në teste pranimi, ku çdo pikë mund të ndikojë në renditjen e kandidatëve, pyetjet duhet të jenë të sakta shkencërisht, të qarta dhe pa asnjë paqartësi. Komisioni hartues duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje formulimit dhe rishikimit të pyetjeve para publikimit, në mënyrë që kandidatët të vlerësohen mbi njohuritë e tyre dhe jo të vendosen përballë paqartësive apo gabimeve në test.
Një vërejtje shkencore: Nëse komisioni ka pasur për qëllim të testojë vetëm gjeometrinë molekulare sipas hibridizimit, atëherë ka shumë gjasa që ta ketë konsideruar etinin (180°) si përgjigjen e saktë. Megjithatë, sipas formulimit aktual të pyetjes, i cili kërkon këndin e lidhjes C–C–C, as etini dhe as eteni nuk mund të jenë përgjigje të sakta, sepse nuk përmbajnë tre atome karboni. Pikërisht ky është thelbi i problemit: ekziston një mospërputhje ndërmjet asaj që duket se ka synuar të testojë hartuesi dhe formulimit real të pyetjes. Në një provim pranues, paqartësi të tilla nuk duhet të ekzistojnë.



