Të mbështjellësh shtrëngueshëm foshnjën për ta qetësuar para se ta vendosësh në gjumë, mund të bëjë që foshnja të vuaj nga dhimbje të ijëve përderisa rritet.
Doktorët australianë janë duke i paralajmëruar prindërit e rinj për efektet e dëmshme të mbështjelljes apo lidhjes së foshnjave – një teknikë kjo e njohur edhe në Kosovë, ku nënat shpesh i mbështjellin fort foshnjat e tyre, duke ua vendosur krahët poshtë për t’i mbështjellë më pas në një batanije.
Edhe pse metoda ka treguar sukses për qetësimin e foshnjave, studimi i “Medical Journal of Australia” thotë se kjo metodë mund të ketë pasoja të mëvonshme në foshnje përderisa rritet, transmeton Gazeta Express.
Mbështjellja e foshnjës me batanije dhe shtrëngimi i saj, mund të bëjë që foshnja të ketë probleme me ije më vonë.
Studimi është bazuar në rritjen e numrit të rasteve me probleme me ije gjatë viteve të fundit, thuhet sipas Daily Telegraph.
Foshnjat duhet të jenë në gjendje që t’i lëvizin lirshëm këmbët dhe krahët përderisa janë duke fjetur, thuhet sipas studimit.
Foshnjat që diagnostikohen me probleme në ije kur arrijnë moshën e ecjes, duhet ose të mbajnë mbajtëse në këmbë ose t’i nënshtrohen një operacioni për të rregulluar problemin.
Dr. Matthias Axt, një ortoped në Spitalin e Fëmijëve në Westmead, tha se kishte më pak raste me probleme në ije tek fëmijët të cilët nuk ishin lidhur kur kishin qenë foshnje.