Femrat të cilat vuajnë nga dhimbje të padurueshme menstruale, mund të ndihmohen në qetësimin e tyre nga një burim i pabesueshëm – Viagra.
Studimet kanë gjetur se Viagrat, tabletat me ngjyrë të kaltër që përdoren për të trajtuar çrregullimet erektile te meshkujt, mund të ndihmojnë në çlirimin e ngërçeve menstruale.
Një studim amerikan i mbështetur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, ka gjetur se sildenafil, që është përbërësi aktiv i Viagras, duket se ndihmon femrat që vuajnë nga ngërçe mesatare dhe të ashpra, transmeton Mjeku.Net.
Rezultatet e studimit tregojnë se përdorimi i kësaj substance në mënyrë vaginale, ka qenë dyfsh më efektiv në lehtësimin e dhimbjeve, krahasuar me grupin kontrollues që ka përdorë placebo (ilaç pa efekt).
Hulumtuesit besojnë se efekti i Viagras vjen nga aftësia e saj për të zgjeruar enët e gjakut dhe për të rritur qarkullimin e gjakut në mitër, që mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjeve.
Megjithatë gjatë përdorimit oral Viagra jep efekte anësore, si kokëdhimbje, andaj studiuesit e kanë përjashtuar aplikimin e saj si një terapi rutinë në trajtimin e dhimbjeve menstruale.
Ndërkohë ibuprofeni dhe barnat tjera antiinflamatore josteroidale vazhdojnë të jenë zgjidhja e parë për dhimbjet dhe ngërçet menstruale. Përveç që në disa raste nuk ndihmojnë, këto barna po ashtu kanë efekte anësore, pasi mund të shkaktojnë ulcerë ndërsa përdorimi afatgjatë i tyre dëmton veshkat.


