Teknikat e mjekësisë tradicionale kineze mund të ndihmojnë ndjeshëm në trajtimet moderne të fertilitetit, sipas një studimi të publikuar në “Global Advances in Integrative Medicine and Health”.
Studiuesit zbuluan se akupunktura, akupresura dhe terapia me dritë ndihmojnë në uljen e stresit, ankthit dhe dhimbjes te gratë që i nënshtrohen fertilizimit in vitro (IVF), shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Në studim u përfshinë 146 gra në 202 cikle transferimi të embrioneve. Më shumë se 88% e cikleve përfshinin këto trajtime ditën e transferimit të embrionit, ndërsa 65% i kishin aplikuar edhe javë më parë. Gratë raportuan përmirësime të ndjeshme klinikisht në ndjenjat e ankthit, stresit dhe dhimbjes.
Në një shkallë prej 10 pikësh, ankthi u ul mesatarisht me 2.2 pikë, stresi me 2.1 dhe dhimbja me 1.4 pikë. Studiuesit identifikuan edhe pika të caktuara të akupunkturës dhe akupresurës që dhanë rezultate më të mira.
“Studimi ynë tregon se akupunktura dhe mjekësia tradicionale kineze mund të jenë mjete të vlefshme për të përmirësuar përvojën e pacienteve dhe ndoshta edhe rezultatet e IVF-it,” tha Christine Kaiser, drejtore për mirëqenien riprodhuese në University Hospitals në Cleveland.
Ndërkohë, gjithnjë e më shumë klinika të fertilitetit po integrojnë terapi plotësuese si pjesë e kujdesit. Dr. Rebecca Flyckt theksoi rëndësinë e kërkimeve të tilla për të mbështetur pacientet jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe emocional dhe fizik gjatë trajtimeve të fertilitetit. /Gazeta Shneta/


