Një bari kundër kancerit, me mundësi të vogla të efekteve anësore të rënda, është diçka që të gjithë do ta mirëpresim. A është çështje kohe përpara se një pilulë e tillë të bëhet realitet?
Rreth kësaj teme, janë pyetur tre studiuesve të Universitetit Leiden dhe se si ata vetë po kontribuojnë në trajtimet e reja të kancerit, shkruan MedicalxPress përcjell Gazeta Shneta.
Për të shkuar drejt e në pikën: Asnjë nga studiuesit nuk mendon se do të ketë ndonjëherë një pilulë që funksionon për të gjitha format e kancerit.
Por ka gjithashtu një lajm të mirë: të tre janë me shpresë për përmirësimin e trajtimeve aktuale dhe zhvillimin e terapive të reja. Për shembull, po punohet për terapi shumë specifike dhe reduktimin e efekteve anësore të barnave dhe inteligjenca artificiale po e bën zhvillimin e barnave më shpejtë dhe më të lirë.
Sipas profesorit Sjaak Neefjes nga fusha e imunologjisë kimike në Universitetin Leiden, nuk do të ketë kurrë një pilulë të vetme kundër kancerit.
“Kanceri është një emër kolektiv për shumë lloje të ndryshme sëmundjesh. Ashtu si nuk ka një antibiotik për të gjitha sëmundjet infektive, nuk do të ketë asnjë pilulë kanceri.”
Ajo që profesor Neefjes mund të thotë me siguri, është se trajtimet po përmirësohen gjatë gjithë kohës. “Unë mund të shoh se si kanceri po bëhet gjithnjë e më shumë një sëmundje kronike. Kjo tashmë vlen për forma të caktuara të kancerit të gjakut, testikujve dhe gjirit. Një pjesë e madhe e kërkimeve janë duke u bërë dhe ne do të shohim sesi trajtimet përmirësohen gradualisht.”
Jan Verschuuren, neurolog dhe imunolog në Universitetin Leiden, shpjegon se tashmë ka barna kundër kancerit, por që ato nuk trajtojnë lloje të ndryshme të kancerit. “Do të ishte shumë mirë, por zhvillimi i një bari të vetëm është një sfidë e madhe. Ajo që po shoh janë terapi gjithnjë e më shumë të synuara.”
Ndërsa eksperti Gerard van Westen, nuk mendon se do të ketë ndonjëherë një bari kundër kancerit, por mendon se do të ketë metoda gjithnjë e më të mira të trajtimit të kancerit me më pak efekte anësore. Ai vetë nuk punon në laborator apo pranë shtratit të pacientëve, por ulet në kompjuterin e tij duke zhvilluar barna të reja me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Falë modeleve kompjuterike, ai mund të marrë informacion nga një sasi e madhe të dhënash. Në një nga studimet e tij, Van Westen po fokusohet në receptorët e lidhur me proteinën G. Një pjesë e madhe e barnave funksionojnë nëpërmjet këtyre proteinave. Ato gjenden në membranën qelizore, barriera që ndan qelizën nga bota e jashtme, dhe për këtë arsye janë të lehta për t’u ndikuar.
Van Westen tha se: “Ne përdorim shkencën kompjuterike dhe mësimin e makinerive për të kërkuar të dhënat e pacientëve për mutacione në këto proteina që janë të lidhura me kancerin. Më pas i rikrijojmë ato në laborator për të studiuar nëse ato mund të luajnë një rol në trajtimet e kancerit.” /Gazeta Shneta/