Anesteziologia Sebahate Gashi ka treguar arsyet pse vendosi ta lë punën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme Gazeta Shneta raportoi se dy anesteziologe, Sebahate Gashi dhe Venera Agani, i kanë shkëputur kontratat me QKUK-në.
Dr. Sebahate Gashi ka thënë se ky vendim ishte i dhimshëm për të, por u detyrua për shkak të ngarkesës në punë.
“Jam specialiste që nga viti 1998 në Tiranë dhe nga viti 1999 kam punuar në QKUK. Të gjithë anesteziologët e rinj kanë kaluar përmes neve që kemi qenë të parët. Kam kontribuar shumë dhe është e dhimbshme për mua ta lë QKUK-në. Por nuk kam mundur të vazhdojë më për shkak të ngarkesës. Jam me disa diagnoza dhe ngarkesa në punë për mua është e papërballueshme”.
“Në vend se ta pres pensionimin në klinikë dhe të kemi kushte më të mira pune, ta kemi më të lehtë angazhimin tonë, tani duhet të kërkojë punë në sektorin privat në këtë moshë. Është e vështirë për mua”, ka deklaruar Gashi.
Ngarkesa në punë dhe diagnozat e kanë shtyrë edhe Venera Aganin që të lë punën në QKUK, ka bërë të ditur ajo vet dje në një deklaratë për gazetën.
Ndërkohë në QKUK pritet të pensionohen edhe dy anesteziologë të tjerë. Klinika e Anestezionit pritet të mbetet me vetëm 49 specialistë. /Gazeta Shneta/
Edhe dy anesteziologe e lënë punën në QKUK, dy të tjerë pritet të pensionohen