Një studim i ri identifikon ARN-në virale si një biomarker gjaku që mund të ndihmojë në parashikimin se cilët pacientë me COVID-19 kanë rrezikun më të madh për të humbur jetën.
Ekipi gjeti biomarkerin në mostrat e gjakut të mbledhura nga njerëzit e shtruar në spital me COVID-19 dhe më vonë e konfirmoi atë në dy grupe të tjera pacientësh të shtruar në spital, shkruan Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Shkencëtarët besojnë se zbulimi i tyre mund të ndihmojë profesionistët mjekësorë të identifikojnë pacientët me rrezikun më të lartë të humbjes së jetës.
Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, në dhjetor 2019, profesionistët mjekësorë kanë luftuar për të identifikuar se cilat grupe kanë rrezikun më të lartë të vdekshmërisë.
Hulumtimet e hershme zbuluan disa faktorë të zakonshëm, duke përfshirë moshën mesatare dhe kushtet kronike themelore. Megjithatë, shumë gjëra mbeten të panjohura.
Tani, një studim i ri nga Qendra Kërkimore Spitalore e Universitetit të Montrealit (CRCHUM) ka zbuluar se një biomarker gjaku i SARS-CoV-2, virusi që shkakton COVID-19, mund t’i ndihmojë mjekët të përcaktojnë se cilët pacientë kanë më shumë gjasa të humbasin jetën nga kjo sëmundje.
Studiuesit besojnë se ky zbulim do t’i lejojë profesionistët mjekësorë të ofrojnë trajtime më të shpejta për pacientët me rrezikun më të lartë të vdekshmërisë.
Studimi shfaqet në revistën ‘Science Advances’.
Hulumtimet e mëparshme mbi COVID-19 dhe lidhjen e tij me gjakun e njeriut, kanë analizuar shkakun se pse sëmundja shkakton mpiksje gjaku, se si holluesit e gjakut mund të mbrojnë kundër komplikimeve dhe se si pesë biomarkues të gjakut të proteinave mund të parashikojnë se cilët pacientë sëmuren rëndë.
Autori kryesor i studimit të ri, Dr. Daniel Kaufmann, një shkencëtar kryesor në CRCHUM dhe profesor i mjekësisë në Université de Montréal, tha për burimin Medical News Today se:
“Kursi i COVID-19 është jashtëzakonisht i ndryshueshëm midis pacientëve,” shpjegoi Dr. Kaufmann.
“Nga perspektiva e kujdesit klinik, është e rëndësishme që të jemi në gjendje të identifikojmë me shpejtësi personat që janë në rrezikun më të lartë të evoluimit drejt sëmundjes kritike dhe vdekjes.”
“Shumë matje të ndryshme të gjakut janë shoqëruar me sëmundje të rënda,” vazhdoi ai, “por është vërtet jopraktike të punohet me një bollëk parametrash dhe disa do të jenë më të besueshëm se të tjerët.”
Në këtë studim, Dr. Kaufmann dhe ekipi i tij zbuluan se një biomarker gjaku me bazë ARN virale – ndihmoi të parashikohej se cilët pacientë kishin rrezikun më të madh për të humbur jetën nga COVID-19.
SARS-CoV-2 është një virus ARN, që do të thotë se ARN, dhe jo ADN, është materiali i tij gjenetik. Pasi hyn në një qelizë njerëzore, virusi bashkë-opton makinerinë tonë qelizore për të ndërtuar proteinat e koduara nga ARN-ja e tij. Një pjesë e kësaj ARN virale (vRNA) zbulohet në gjakun e njerëzve me infeksion.
Për studimin e tyre, Dr. Kaufmann dhe ekipi i tij mblodhën mostra gjaku nga 279 pacientë të shtruar në spital me COVID-19.
Ashpërsia e sëmundjes varionte; disa pacientë nuk kishin nevojë për mbështetje oksigjeni, ndërsa të tjerë kishin nevojë për ventilim mekanik. Studiuesit morën mostra gjaku nga çdo person 11 ditë pasi u shfaqën simptomat e tyre.
Studiuesit fillimisht matën tre biomarkues kryesorë në gjakun e pjesëmarrësve: proteinat inflamatore, vRNA dhe nivelin e antitrupave SARS-CoV-2.
Ata zbuluan se sasia e vARN-së në gjakun e një pacienti jepte parashikuesin më të mirë të rrezikut të vdekshmërisë – pacientët jokritikë kishin më pak vRNA sesa pacientët kritikë.
Gjithashtu, ata që humbën jetën, kishin nivele të larta të vRNA në gjak, krahasuar me pjesëmarrësit që mbijetuan.
E rëndësishmja, studiuesit raportuan se biomarkerët e tjerë nuk ndihmuan në parashikimin e shkallës së vdekshmërisë. /Gazeta Shneta/