Lloje të tjera të koronaviruseve njerëzore, të tilla si ato që shkaktojnë ftohjen e zakonshme, qarkulluan nëpër popullatën njerëzore përpara shfaqjes së SARS-CoV-2, i cili është përgjegjës për COVID-19.
Të kuptuarit e përgjigjes imune ndaj koronaviruseve që ekzistonte përpara pandemisë dhe virusit aktual SARS-CoV-2, mund të jetë një portë për të kuptuar më mirë imunitetin mbrojtës ndaj COVID-19, shkruan Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Një studim i fundit, ka rishikuar nëse ekspozimi ndaj koronaviruseve para pandemisë mund të mbrojë kundër COVID-19.
Shkencëtarët në Universitetin e Cyrihut në Zvicër (UZH), së fundmi kryen një analizë që demonstruan një nivel më të lartë imuniteti ndaj COVID-19 te njerëzit që ishin ekspozuar ndaj koronaviruseve që qarkullonin para pandemisë.
Prof. Alexandra Trkola, studiuese kryesore dhe drejtuese e Institutit të Virologjisë Mjekësore në UZH, së bashku me kolegët – raportuan gjetjet e tyre në revistën Nature.
Studimi monitoroi përgjigjen e antitrupave ndaj SARS-CoV-2 për të zbuluar korrelacionet me mbrojtjen e vaksinës, ashpërsinë e sëmundjes dhe ndjeshmërinë ndaj infeksionit.
Studiuesit krahasuan gjithashtu përgjigjet imune kundër SARS-CoV-2 me ato kundër koronaviruseve para-pandemike, të njohura si HCoV.
Katër llojet e HCoV-ve që shkaktojnë ftohjen e zakonshme përbëjnë së bashku rreth 10-15% të infeksioneve të të rriturve dhe 2-6% të të gjitha pranimeve në spital për infeksionet e traktit të poshtëm të frymëmarrjes.
“Studimi ynë tregon se një përgjigje e fortë e antitrupave ndaj koronaviruseve njerëzore rrit nivelin e antitrupave kundër SARS-CoV-2. Pra, dikush që ka fituar imunitet ndaj koronaviruseve të padëmshëm, mbrohet më mirë edhe nga infeksionet e rënda SARS-CoV-2”, thotë Prof. Trkola.
Përparësitë e mbrojtjes së kryqëzuar
Kur një përgjigje imune kundër një koronavirusi krijon mbrojtje imune kundër një virusi tjetër, ekspertët e shëndetit e quajnë atë ndër-reaktivitet.
Studiuesit analizuan mostrat e serumit nga 825 pjesëmarrës të marrë para pandemisë dhe vlerësuan përgjigjet e tyre imune ndaj katër prej këtyre HCoV-ve.
Ata analizuan gjithashtu 389 mostra serumi nga individë që rezultuan pozitivë për SARS-CoV-2.
Shkencëtarët zbuluan se njerëzit që u infektuan me SARS-CoV-2 kishin nivele më të ulëta të antitrupave kundër HCoV-ve sesa individët që nuk u infektuan me SARS-CoV-2.
Gjithashtu, njerëzit me nivele më të larta të antitrupave kundër HCoV-ve që kontraktuan SARS-CoV-2 kishin më pak gjasa të kishin nevojë për trajtim spitalor. /Gazeta Shneta/