Një studim i ri zbuloi se rreziku i lindjes së foshnjës së vdekur është më i lartë tek shtatzënat me COVID-19 sesa tek gratë shtatzëna pa COVID-19.
COVID-19 gjatë shtatzënisë gjithashtu rrit rrezikun e lindjes së parakohshme dhe komplikimeve të shtatzënisë, shkruan Very Well Health përcjell Gazeta Shneta.
Nuk ka pasur shqetësime sigurie të lidhura me vaksinimin kundër COVID-19 gjatë shtatzënisë dhe ekspertët thonë se përfitimi i vaksinimit tejkalon rreziqet.
Një studim i ri nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), zbuloi se gratë shtatzëna me COVID-19 kishin një rrezik më të lartë të lindjes së foshnjës së vdekur në krahasim me gratë pa COVID-19.
Studiuesit vlerësuan të dhënat nga marsi 2020 deri në shtator 2021 ku u dokumentuan 8,154 lindje të vdekura. Ata zbuluan se rreziku i lindjes së vdekur ishte dukshëm më i lartë kur varianti Delta u bë lloji mbizotërues në SHBA sesa në periudhën para-Deltasë.
Nga marsi 2020 deri në qershor 2021, 0,98% e lindjeve të prekura nga COVID-19 rezultuan me frytë të vdekur, krahasuar me 0,64% të lindjeve pa COVID-19. Ndërkohë, nga korriku deri në shtator 2021, shkalla e lindjeve të vdekura ishte përkatësisht 2,70% dhe 0,63% për lindjet me dhe pa COVID-19.
Për të mësuar më shumë rreth komplikimeve të shtatzënisë KLIKO KËTU.
Si ndikon COVID-19 tek fetusi?
Studimet e mëparshme të shtatzënive të ndërlikuara nga infeksionet COVID-19 identifikuan anomali histopatologjike të placentës, ose anomali në indet e placentës, tha Dr. Heather Lipkind, obstetër në Yale Medicine për VeryWell.
Ajo sugjeron që hipoperfuzioni ose fluksi i reduktuar i gjakut, pushtimi i virusit dhe inflamacioni në placentë mund të ndodhin me infeksionin e nënës, gjë që shpjegon lidhjen midis sëmundjes dhe lindjes së vdekur në një masë, shton ajo.
Në vitin 2020, një ekip shkencëtarësh nga Yale studiuan rastin e një gruaje shtatzënë me COVID-19 simptomatik në tremujorin e dytë të shtatzënisë. Ata analizuan placentën për praninë e SARS-CoV-2 dhe zbuluan se virusi mund të pushtojë placentën e grave shtatzëna. Gjetjet e studimit sugjerojnë se COVID-19 luan një rol në inflamacionin e placentës, i cili shkakton preeklampsi të hershme dhe rezulton në përkeqësimin e gjendjes së nënës.
“Gjendjet e tjera mjekësore obstetrike të lidhura me infeksionin COVID-19, duke përfshirë nevojën për pranim në kujdesin intensiv, mund të kontribuojnë gjithashtu në lindjen e frytit të vdekur”, tha Dr. Lipkind.
A janë të sigurta vaksinat kundër COVID-19 gjatë shtatzënisë?
Sipas CDC, të dhënat e hershme nuk gjetën ndonjë shqetësim sigurie ose rritje të rrezikut të abortit për gratë shtatzëna që u vaksinuan.
“Ka prova në rritje në lidhje me përfitimet e vaksinimit të nënës kundër COVID-19, duke përfshirë zbulimin e antitrupave në gjakun e kordonit”, tha Dr. Lipkind. “Të dhënat për vaksinimin e deritanishme kanë qenë shumë qetësuese në shtatzëni dhe studimet nuk kanë raportuar asnjë lidhje midis vaksinimit kundër COVID-19 në shtatzëni dhe rezultateve negative të nënës ose lindjes.” /Gazeta Shneta/