Gratë që nuk kujdesen për atë që hanë gjatë shtatzënisë mund të ndikojnë në shëndetin e fëmijës së tyre deri në vitet e adoleshencës.
Të ushqyerit gjatë shtatzënisë luan një rol kryesor në përcaktimin e indeksit të masës trupore të fëmijës (BMI) edhe gjatë adoleshencës, sipas një studimi të ri, shkruan Studyfinds.org përcjell Gazeta Shneta.
Fëmijët që janë mbipeshë, që do të thotë indeksi trupor i tyre është mbi 24.9, kanë një rrezik të shtuar të astmës, diabetit të tipit 2 dhe çrregullimeve ortopedike.
Në SHBA, pothuajse 15 milionë fëmijë dhe adoleshentë janë obezë.
Ndjekja e një diete të stilit mesdhetar të pasur me fruta, perime dhe vajra, si dhe me burime të vitaminës D dhe omega-3 mund të ndihmojë në korrigjimin e kësaj, thanë autorët e studimit.
“Deri më sot, studimet që lidhin ushqimin e nënës gjatë shtatzënisë me rritjen e pasardhësve janë fokusuar në periudhën e të porsalindurit dhe fëmijërisë së hershme, me të dhëna të kufizuara që shtrihen më vonë në fëmijëri,” thotë autore kryesore e studimit, Dr. Carmen Monthé-Drèze, nga Universiteti i Harvardit.
“Ne donim të kuptonim më mirë ndryshimet dinamike të rritjes që ndodhin nga fëmijëria deri në adoleshencë si rezultat i ushqyerjes së nënës në shtatzëni. Ne donim në mënyrë specifike të vlerësonim nëse ka periudha të dallueshme midis lindjes dhe adoleshencës kur ritmet e shtimit të peshës janë më të ndjeshme ndaj efekteve programuese të të ushqyerit në shtatzëni.”
Për të mësuar më shumë rreth komplikimeve të shtatzënisë KLIKO KËTU.
Studiuesit analizuan të dhënat nga 1,459 nëna dhe fëmijë, të mbledhura nga Instituti i Kujdesit Shëndetësor të Harvardit.
“Rezultatet sugjerojnë se ushqimi i nënës gjatë shtatzënisë mund të ketë një ndikim afatgjatë në trajektoret e peshës së fëmijëve dhe se ka periudha specifike zhvillimi kur të ushqyerit gjatë shtatzënisë mund të ndikojë në rritjen e pasardhësve,” thotë Dr. Monthé-Drèze.
“Kërkimet kanë treguar se ushqimet që hamë gjatë shtatzënisë mund të ndikojnë në metabolizmin e fëmijës në rritje, si dhe në sjelljet e tyre të të ngrënit dhe preferencat ushqimore.
Ofruesit e kujdesit shëndetësor duhet të jenë veçanërisht vigjilentë ndaj fëmijëve, nënat e të cilëve nuk kanë ndjekur një dietë të shëndetshme gjatë shtatzënisë.
Nevojat ushqyese të një gruaje gjatë shtatzënisë ndryshojnë shumë, kështu që nënat e ardhshme duhet të konsultohen me mjekun e tyre për të parë se cila dietë është më e mira për to.
Gjetjet janë publikuar në revistën ‘The American Journal of Clinical Nutrition’. /Gazeta Shneta/