Në moshën për çerdhe, fëmija mëson të eksplorojë gjithnjë e më shumë të pa diturat e jetës.
Me veshje, ai mund të provojë të duket herë si babai, herë si nëna, herë si lojtar futbolli, herë si zanë përrallash, e që të gjitha këto janë të zakonshme dhe normale në këtë moshë.
Prindërit shpesh shqetësohen se pse djemtë e tyre preferojnë lodra dhe veshje femërore, por duhet pasur parasysh se vajzat gjithashtu preferojnë të luajnë me makina, kamionë etj.
Fakti që djali juaj gëzon të luajë me gjërat e vajzave është një tregues se ju keni qenë të hapur, përkrahës dhe që i keni dhënë atij mundësi që shkojnë përtej lojërave të djemve. Loja me kukulla në moshën dy ose tre vjeçare nuk nënkupton asgjë tjetër përveç një imagjinatë të zhvilluar të fëmijës.
Për të inkurajuar më tej imagjinatën normale dhe të shëndetshme të fëmijës suaj, sigurohuni që ai të ketë mundësi për të luajtur me një shumëllojshmëri lodrash në mënyra të ndryshme.
Mundohuni të jeni të vëmendshëm ndaj stereotipeve gjinore në historitë që lexoni së bashku, aktiviteteve që ju ofroni dhe madje edhe komenteve të hapura që bëni. Për shembull, në vend që “të qetësosh” fëmijën tuaj kur ai fillon të qajë, shpjegojini se nuk ka asgjë të keqe të qash. Nxitni butësinë e tij me kafshët shtëpiake ose vëllezërit e motrat.
Por, sado mendjehapur që të jeni, mund të ketë komente të njerëzve përreth që nuk do t’ju pëlqejnë shumë. Merreni me sportivitet dhe mendoni që për sa kohë fëmija juaj është i lumtur, ju do vazhdoni ta bëni detyrën tuaj si prind./pernenat.al/