Të gjitha nënat në pritje të fëmijës duhet të bëjnë një test gjaku për sifilizin tri herë gjatë shtatzënisë, rekomandon udhëzimi i ri i lëshuar nga Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve.
Ky këshillim praktik u bën thirrje mjekëve të testojnë për sifilizin në vizitën e parë të kujdesit prenatal të një gruaje shtatzënë, pastaj përsëri gjatë tremujorit të tretë dhe në lindje, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Më parë, Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve rekomandonte testimin e bazuar në rrezik në tremujorin e tretë vetëm për gratë që jetojnë në komunitete me shkallë të lartë të sifilizit ose gratë me rrezik të lartë për t’u infektuar gjatë shtatzënisë.
Sifilizi mund të dëmtojë zemrën dhe trurin dhe të shkaktojë verbëri, shurdhim dhe paralizë nëse nuk trajtohet. Kur transmetohet gjatë shtatzënisë, mund të shkaktojë abort, probleme shëndetësore gjatë gjithë jetës dhe vdekje të foshnjave.
Në shkurt, Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), raportuan se normat e sifilizit të nënës ishin trefishuar vitet e fundit.
Më shumë se 10,000 gra që lindën në vitin 2022 kishin sifiliz, nga rreth 3,400 raste në vitin 2016, zbuloi CDC.
Këshillimi i Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve paraqet një tablo edhe më të tmerrshme, duke thënë se normat në SHBA të foshnjave të lindura të infektuara me sifiliz ishin rritur me 755% midis 2012 dhe 2021.
“Ka pasur një rritje gati tetëfish të rasteve të sifilizit kongjenital në dekadën e fundit ose më shumë, dhe nga këndvështrimi i shëndetit publik, ne e kuptojmë se mjekët obstetër-gjinekologë dhe mjekë të tjerë të kujdesit obstetrik luajnë një rol kritik,” tha Dr. Christopher Zahn nga Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve.
Rreth 88% e rasteve të sifilizit tek të porsalindurit mund të parandalohen me shqyrtimin dhe trajtimin në kohë, tha ky kolegj shëndetësor. /Gazeta Shneta/