Në debatin e ngritur kohëve të fundit në mbarë botën rreth rreziqeve të vaksinës që kanë në shëndetin e foshnjës, janë dhënë mendime të shumta.
Ka pasur madje edhe spekulime të natyrave të ndryshme si dhe histori të prindërve që bënin thirrje të mos i vaksinon fëmijët e tyre, për shkak të rrezikut nga autizmi.
Së fundmi në një intervistë të realizuar me Dr. Ismail Lutolli nga Shkëlzen Rrecaj, që është publikuar në një postim në rrjetin social Facebook, shpjegohet mjaft mirë ky fenomen, transmeton Gazeta Shneta.
Më poshtë ju sjellim disa nga pjesët më kryesore të kësaj bisede:
”Vaksinimi si proces nënkupton përdorimin e vaksinave apo toksoideve për nxitjen e sistemit imunitar për prodhimin e antitrupave si dhe për nxitjen e përgjigjes imune qelizore, të cilat e mbrojnë atë nga agjenti infektiv. Vaksina është një suspension i mikroorganizmave të zbutur apo të vrarë, ose pjesë antigjenike të tyre.
Mendoj se çdo pretendim që autizmin e ndërlidh vetëm me vaksinimin është jo i saktë dhe jo korrekt. Ka synime që të ndërlidhin vetëm me aspektin gjenetik apo vetëm me aspekte të tjera të ngjashme.
Dikur autizmi ishte 1 në 10.000 persona, sot është 1 në 130. Diçka serioze dhe alarmante është duke ndodhur. Asnjëherë nuk ka ekzistuar epidemi gjenetike.
Mendimi im është se dobitë e vaksinave i kapërcejnë shumë herë rreziqet nga efektet e padëshiruara që vetë vaksinat i bartin.
Ka raste të shumta kur njerëzit janë prekur mu nga ato sëmundje kundër të cilave në fakt ata janë vaksinuar?
Vaksinimi nuk garanton që të vaksinuarit nuk do të preken fare nga sëmundja. Përmes vaksinimit kalimi i sëmundjes do jetë shumë më i lehtë dhe presupozohet pa pasoja për shëndetin. Simptomat do jenë shumë më të lehta.
Ka pak raste kur nuk preferohet vaksinimi si p.sh në të gjitha rastet kur ekziston alergji e vërtetuar ndaj përbërësve të vaksinës.
Mosvaksinimi sjell rreziqe të mëdha në shëndetin e fëmijës në disa raste dëme të theksuara apo të përhershme.
Shumë prindër dhe personel mjekësor si brengë kryesore e kanë vaksinimin,por nuk brengosen fare ose harrojnë për dëmet shëndetësore që i sjellin fëmijëve duke përdorë antibiotikë pa asnjë kriter.
Përdorimi i panevojshëm dhe i pakontrolluar i antibiotikëve ndikon në shfaqjen e rezistencës kundër antibiotikëve që do jetë me pasoja shumë të mëdha në shëndetin e këtyre fëmijëve në të ardhmen.
Të gjithë ne dimë se si të hamë, por një numër i vogël prej neve e di sesi të ushqehen shëndetshëm .
Ushqimet duhet të jenë ilaçet tuaja, thoshte dikur Hipokrati, dhe kishte plotësisht të drejtë”./Gazeta Shneta/