– Sikurse vendet tjera të Evropës Perëndimore, edhe Holanda ka nevojë për rekrutim të infermierëve dhe mjekëve të rinj për të përmbushur nevojat e shërbimit shëndetësor të tyre.
– Agjencia ‘Partisan Medical Mercenaries’ ofron bursa studimi dhe punësim në të njëjtën kohë, për infermierët dhe mjekët.
– Bursa dhe punësimi për infermierët ofrohet me 1800 Euro neto dhe diplomë ndërkombëtare, ndërsa pas diplomimit paga e tyre varion nga 2900 deri 3500 Euro. Kurse paga për mjekët varion nga 5200 deri në 6500 Euro.
Infermierët dhe mjekët e rinj nga Kosova tash e tutje do të kenë një mundësi shumë të mirë për avancimin e njohurive të tyre në universitetet e Holandës, si dhe punësimin e tyre në institucionet holandeze. Ky shtet është në kërkim të punëtorëve shëndetësor për të mbuluar nevojat e shërbimeve në institucione të ndryshme, spitale, qendra rehabilitimi, shtëpi të moshuarve, infermieri rajonale, etj, shkruan Gazeta Shneta.
Për këtë qëllim ka ardhur në Kosovë një nga agjencionet më kredibile dhe me përvojë në rekrutimin e punëtorëve shëndetësorë ‘Partisan Medical Mercenaries’.
Blerta Shaqiri nga ky agjencion, në një bisedë për Gazetën Shneta, ka thënë se synimi i tyre është realizimi i një ëndrre për shëndetësi më të mirë në Holandë por edhe në Kosovë.
“Synimet tona janë që partnerëve tanë t’ju ofrojmë punonjës kualitativ dhe në të njëjtën kohë të ofrojmë mundësitë për të rinjtë nga Kosova. Sepse sikurse çdo shtet në Evropën Perëndimore kemi mungesë të profesionistëve në shëndetësi. Prandaj kemi filluar të punojmë këtu dhe të krijojmë mundësi edhe për të tjerët. Mundësitë që i kemi pas edhe ne kur kemi ardhur këtu. Pra për të dy anët do të jetë përfituese, sepse ne do të ofrojmë mundësi studimi në Holandë dhe Kosova mund të përfitojë në të ardhmen nga këta infermierë dhe mjekë”, ka thënë Shaqiri.
“Agjencioni ynë nuk oferton vetëm punësim sikurse të tjerët, por edhe zhvillim profesional të tyre. Prandaj oferta jonë është e kombinuar me edukim dhe punësim në të njëjtën kohë, ku të rinjtë nga Kosova do të marrin diploma ndërkombëtare dhe do të mund të ndihmojnë edhe vendin e tyre në të ardhmen. Me njohuritë që do t’i marrin në universitetet e Holandës, në të ardhmen do të mund të kontribuojnë në Kosovë”.
Javën e kaluar janë mbajtur intervistat e para në Prishtinë, ndërsa konkursi do të vazhdojë dhe sesioni i radhës me intervista do të mbahet në fund të muajit maj. Agjencioni pret që të rekrutojë deri në 60 infermierë deri në shtator të cilët do të fillojnë punën dhe studimet në Holandë.
Shaqiri thotë se punëtorët shëndetësorë nuk kanë asnjë obligim ndaj agjencionit. Në fakt është agjencioni i cili do të mbulojë shpenzimet e kursit të gjuhës holandeze, rregullimin e dokumenteve, sigurimin e vendbanimit, si dhe përkrahjen e vazhdueshme pas vendosjes në Holandë.
“Për infermierë ofrojmë punë në qendra të rehabilitimit, shtëpi të moshuarve, në infermieri të rajonit, ndërsa për mjekë ofrojmë specializim për mjekësi familjare dhe geriatri. Ndërsa kemi ofertë edhe për mjekë të përgjithshëm. Poashtu do të kemi një konkurs edhe për psikolog. Ambienti i punës në Holandë është mjaft mikpritës, njerëzit janë social dhe përkrahës ndaj të rinjve dhe nevojitet vetëm motiv pune dhe angazhim dhe gjithçka do të shkojë mirë”, ka deklaruar Shaqiri.
Ajo ka thënë se mjekët të cilët vendosen në Holandë me vize pune, në bazë të kritereve do të mund të bëjnë bashkimin familjar pas tre muajsh, ndërsa infermierët do të shkojnë në Holandë me vize studimi. E studimet për infermierët në nivelin bachellor zgjasin katër vite ku do të përfitojnë diplomë ndërkombëtare dhe pas mbarimit mund të zgjedhin nëse do të vazhdojnë qëndrimin atje apo të kthehen në Kosovë.
Shaqiri ka thënë se studimet bachellor janë obligative edhe për infermierët që kanë kryer fakultetin në Kosovë. E poashtu, mundësi studimi dhe punësimi në Holandë do të kenë edhe infermierët me shkollë të mesme dhe me mbi një vit përvojë pune.
Bursa dhe punësimi për infermierët ofrohet me 1800 Euro neto dhe diplomë ndërkombëtare, ndërsa pas diplomimit paga e tyre varion nga 2900 deri 3500 Euro. Kurse paga për mjekët varion nga 5200 deri në 6500 Euro.
“Ne ofrojmë studime falas për dallim nga agjencitë e tjera. Ne duam që profesionistët të punojnë në profesionin e tyre kur të vijnë në Holandë. Ne besojmë në motivin e të rinjve nga Kosova dhe prandaj jemi të gatshëm të mbulojmë të gjitha shpenzimet për ta derisa të fillojnë punën. Do ta kenë përkrahjen tonë gjatë gjithë kohës për gjithçka. Ne poashtu kemi përvojë të gjatë në shëndetësinë e Holandës dhe nuk e kemi për qëllim vetëm të mbushim numrin e punëtorëve, por edukimin, zhvillimin dhe avancimin e tyre”, ka thënë në fund Blerta Shaqiri.
Në ditët në vijim do të njoftoheni për konkursin e radhës nga ky agjencion, si dhe kohën dhe vendin e mbajtjes së intervistave në fund të muajit maj. /Gazeta Shneta/