Kardiologu Lulzim Kamberi është emëruar ushtrues detyre i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK.
Kamberi është emëruar në këtë pozitë nga menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, pas shkarkimit të ish-drejtorit Dr. Imri Jashari, shkruan Gazeta Shneta.
SHSKUK ka deklaruar se emërimi i Kamberit është bërë me vendim deri në shpalljen e konkursit të rregullt. Menaxhmenti në një përgjigje për T7 nuk ka komentuar aktakuzën ndaj Kamberit në rastin “Stenta”.
Kamberi së bashku me 44 mjekë të tjerë janë pjesë e aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje ryshfeti në skandalin e njohur si “Stenta”.
Sipas aktakuzës, këta dy të akuzuar i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës. /Gazeta Shneta/