Të gjithë merren me politikë, por jo të gjithë i takojnë këtij profili. Në legjislaturën e pestë të Kuvendit të Kosovës, ka jo pak deputetë që me profesion janë mjekë e që janë mjaft të pasur.
Megjithatë, jo të gjithë e ngritin zërin për problemet mjaft të mëdha në sistemin shëndetësor të vendit, shkruan Gazeta Shneta.
Ali Berisha, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ka të kryer Fakultetin e mjekësisë, ndërsa është Specialist i mjekësisë Interne. Berisha ka të deklaruara tri prona të përbashkëta. Shtëpi me truall në vlerë 280 mijë euro dhe dy troje të tjera në vlerë 110 mijë dhe 3 mijë euro.
Ai ka një veturë Mercedes në vlerë 6 mijë euro, ndërsa ka deklaruar para të gatshme në bankë 1500 euro dhe një kredi prej 20 mijë eurosh. Berisha nuk e ka deklaruar rrogën e Kuvendit të Kosovës, ndërsa në AKK siç e ka shkruar ai, paguhet 6 mijë euro në vit.
Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, me profesion është Fizioterapeut. Haxhiu është njëri nga deputetët që ka ngritur disa herë çështje që i takojnë profesionit të tij në seancat e Kuvendit. Madje në një rast ai e pati quajtur ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani, “të dështuar”.
Pasuria e Haxhiut: Shtëpi me 4 ari në vlerë 120 mijë euro; 20 ari truall në vlerë 150 mijë euro. Tre hektarë tokë në vlerë prej 100 mijë euro. Dy të fundit janë të deklaruara si pronë e përbashkët.
Haxhiu ka një veturë Mercedes ML që sipas deklarimit ka vlerë 22 mijë e 500 euro. Ai ka më pak se 2 mijë euro para të gatshme në dy banka, derisa ka të deklaruara 2 kredi, njëra 12 mijë e tjetra 320 euro.
Haxhiu merr dy paga. Në Kuvend paguhet 22,437.74 euro në vit dhe Pensionin invalidor të UÇK-së 3,825 euro në vit. Në Universitetin e Prishtinës nuk ka deklaruar pagë.
Driton Çaushi, është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, por nuk e ka të publikuar pasurinë në AKK.
Çaushi ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në Tiranë, ndërsa ka doktoruar në këtë lëmi në Universiteti i Lirë në Berlinit të Gjermanisë.
Fadil Beka deputeti i PDK-së, ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Specializimin e ka kryer në kirurgjinë e përgjithshme në Tiranë, ndërsa masterin në Prishtinë.
Sipas deklarimit të pasurisë, Beka ka në pronësi të vetën një banesë në vlerë prej 250 mijë eurosh, ndërsa një tokë të përbashkët në vlerë të njëjtë.
Beka ka deklaruar një veturë 5 mijë euroshe, ndërsa i merr 5 rroga. 1,488 euro në Kuvend, 6,263 në QKUK, 300 euro për Kujdestari në QKUK, 30 euro Kujdestari në Mitrovicë dhe në një Komision 1,615 euro.
Në radhë është Flora Brovina (PDK), e cila ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në UP. Ajo ka deklaruar një banesë në vlerë 55 mijë euro dhe 10 ari tokë 10 mijë euro. Brovina merr 25 mijë e 447 euro pagë vjetore në Kuvendin e Kosovës.
Fatmir Xhelili, deputet i PDK-së, ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë dhe specializimin në neuropsikiatri. Ky deputet ka deklaruar shtëpi në vlerë 380 mijë euro, banesë 180 mijë dhe truall 60 mijë euro.
Xhelili vozitë veturë në vlerë 8,500 euro, ndërsa ka 52 mijë e 500 euro para të gatshme në bankë. Ai ka tri paga, si deputet 1294 euro, 362 të ardhura nga Ordinanca dhe 2400 euro nga Ordinanca Vita.
Deputeti i pavarur, Gëzim Kelmendi, ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë në degën e Stomatologjisë në UP. Ai ka specializuar në Kirurgjinë Maksillofaciale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kelmendi, i cili si deputet dhe mjek më shumë merret me histori sesa me çështje të profesionit të tij, nuk ka deklaruar shtëpi fare, ndërsa ka në pronësi një truall në vlerë 25 mijë euro. Ai vozitë veturë 12 mijë euroshe, ndërsa ka deklaruar kapital të ordinancës në vlerë 2,500 euro.
Kelmendi i ka publikuar dy borxhe ndaj personave fizik në vlerë 10 mijë euro. 9 mijë nga to i ka marr hua për ta blerë veturën, derisa në rubrikën “Të dhëna të tjera”, deklaron se ka shitur banesën në vlerë 60 mijë euro.
“Të Pasuria e Paluajtshme në muajin janar të vitit 2015 kam shitur banesën 80m2 komplet të mobiluar në vlerë prej 60000€. Shitjen e kam bërë në 3 këste (25+10+25) mijë euro. Me këstin e parë kam blerë parcelen (truallin) në Pejë në vlerë prej 25000€. Të gjitha janë kryer përmes xhirollogarisë time në bankë (RB)”, shkruan Kelmendi.
Kelmendi paguhet mbi 20 mijë euro në vit nga Kuvendi i Kosovës, dhe mbi 9 mijë euro i merr të hyra nga Ordinanca private në Pejë.
Deputeti i LDK-së, Hatim Baxhaku, ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë dhe specializimin nga lëmia e kirurgjisë së përgjithshme. Baxhaku ka deklaruar shtëpi në vlerë 120 mijë euro në pronësi të tij dhe një tjetër në pronësi të përbashkët në vlerë 300 mijë euro. Poashtu ai ka një lokal-ambulancë të vetën në vlerë 50 mijë euro, shkruan Gazeta Shneta.
Baxhaku ka deklaruar veturën 8 mijë euroshe, derisa thotë se pajisjet dhe aparaturat mjekësore i ka dhuratë nga vëllai në vlerë 40 mijë euro. Ai ka para të gatshme në bankë 8500 euro. Baxhaku i merr tri rroga vjetore, afër 24 mijë në Kuvend, 4 mijë në Spitalin e Prizrenit dhe 995 për Kujdestari po në këtë spital.
Nehat Baftiu i PDK-së, ka të kryer Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, specializimin në Anesteziologji dhe Reanimacion në Tiranë, dy magjistratura në Prishtinë dhe doktoraturën poashtu. Baftiu nuk figuron në deklarimin e pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion.
Pal Lekaj i AAK-së, është doktor i mjekësisë së përgjithshme. Ai ka të kryer masterin në menaxhmentin e mjekësisë.
Lekaj ka deklaruar goxha shumë pasuri, por shkruan se krejt e ka të përbashkët. Shtëpi, tokë dhe dy restorante, të gjitha në vlerë prej hiq më pak se 6 milionë e 280 mijë euro.
Ish-kryetari i Gjakovës ka 13 vetura në pronësi të përbashkët familjare të cilat kapin shumën prej 292 mijë euro. Lekaj merr rrogë vjetore nga Kuvendi gati 23 mijë euro dhe mëditje për udhëtime zyrtare jashtë vendit në vlerë 750 euro. Ndërsa nuk e ka të deklaruar asnjë cent si para të gatshme në bankë.
Salihe Mustafa, deputete e PDK-së është doktoreshë e stomatologjisë. Ajo ka deklaruar në pronësi të saj një lokal afarist në vlerë 40 mijë euro. Deputetja vozitë veturë 7 mijë euroshe, ndërsa ka deklaruar para të gatshme në bankë rreth 1200 euro. 10 mijë euro i ka borxh ndaj një personi fizik.
Mustafa merr dy paga vjetore. Në Kuvend ajo paguhet 24 mijë e 600 euro, ndërsa në biznesin privat OS-Ortodent në Gjilan ajo merr 3,065 euro.
Deputeti mjek, Shaip Muja i PDK-së, ka në pronësi të përbashkët banesa kolektive në vlerë prej 400 mijë euro. Ai posedon aksione në klinikën Anaderm në vlerë 600 mijë euro. Muja ka marr një kredi në vlerë 55 mijë euro në një nga bankat komerciale.
Deputeti paguhet rret 20 mijë euro në vit nga Kuvendi dhe në Anaderm 5 mijë euro.
Time Kadriaj (AAK) është mjeke-gjinekologe. Ajo ka deklaruar një banesë në pronësi të saj në vlerë 45 mijë euro dhe dy të tjera në pronësi të përbashkët 350 mijë euro.
Kadriaj vozitë veturë në vlerë 10 mijë euro, ndërsa ka kursyer 30 mijë euro në bankë. Deputetja paguhet 23 mijë e 300 euro në vit nga Kuvendi i Kosovës. /Gazeta Shneta/