Shtatzënia është e ndryshme për secilën grua, por mund të jetë e mundur të parashikoni si do të shkojë një pjesë e shtatzënisë dhe lindjes duke shqyrtuar historinë tuaj familjare.
Sipas burimit Health, disa simptoma dhe gjendje gjatë shtatzënisë, si për shembull të përzierat e mëngjesit dhe lindja e parakohshme, mund të jenë gjenetike, përcjell Gazeta Shneta.
Të përzierat e mëngjesit
Të përzierat e mëngjesit janë të zakonshme gjatë shtatzënisë. Hulumtimet kanë treguar se këto simptoma mund të jenë gjenetike. Mund të jeni më të prirura të përjetoni të përziera nëse edhe të afërmet tuaj i kanë pasur ato.
Ndryshimet hormonale dhe niveli i ulët i sheqerit në gjak në fazat e hershme të shtatzënisë janë shkaqe të zakonshme të të përzierave. Faktorët tjerë që mund të ndikojnë përfshijnë: shtatzënia me binjakë apo trinjakë, ushqime të caktuara, lodhja, stresi dhe udhëtimi.
Lindja e parakohshme
Norma e lindjeve të parakohshme është afërsisht 10%, që do të thotë se një në çdo 10 foshnje lind para javës së 37-të. Të kesh histori familjare nga nëna për lindje të parakohshme rrit gjasat që edhe pasardhësit të lindin herët. Rreziku juaj rritet gjithashtu nëse keni lindur vetë para kohe apo nëse motra juaj ka lindur fëmijë para kohe.
Depresioni perinatal
Depresioni perinatal ose depresioni pas lindjes (PPD) mund të ndodhë në çdo kohë gjatë shtatzënisë ose brenda një viti pas lindjes. PPD prek deri në 20% të grave. Ndryshimet hormonale dhe stresi nga përshtatja me prindërimin mund ta shkaktojnë atë. Ky lloj depresioni shoqërohet me ndjenja të moderuara deri të thella – trishtimi.
Një histori familjare me depresion ndikon gjithashtu. Kjo lidhje nuk do të thotë domosdoshmërisht se do ta zhvilloni PPD, por është thelbësore të jeni të kujdesshme për shenjat, si luhatjet e humorit dhe lodhja e theksuar, dhe të mos hezitoni të kërkoni ndihmë.
Preeklampsia
Preeklampsia është një ndërlikim i shkaktuar nga ndryshimet në qarkullimin e gjakut në placentë. Kjo është një organ që zhvillohet gjatë shtatzënisë për të furnizuar fetusit me oksigjen dhe lëndë ushqyese. Një studim i publikuar në vitin 2015 vuri në dukje se rreziku pothuajse trefishohet nëse një e afërme familjare ka përjetuar këtë gjendje.
Preeklampsia zakonisht karakterizohet nga tensioni i lartë i gjakut ose ënjtja në duar dhe këmbë. Kjo gjendje mund të jetë e rrezikshme, prandaj është e rëndësishme që gjinekologu ta ndjekë nga afër shtatzëninë nëse zhvillohet kjo gjendje.
“Ekziston një lidhje mes nënave, motrave dhe vajzave që kanë pasur preeklampsi,” tha Dr. Laura Riley, obstetër-gjinekologe në NewYork-Presbyterian Weill Cornell Medical Center, për revistën “Health”.
Diabeti gestacional
Rreth 9% e grave shtatzëna zhvillojnë nivele të larta të sheqerit në gjak – një gjendje që quhet diabet gestacional. Çdo grua shtatzënë mund ta zhvillojë atë. Faktorët e rrezikut përfshijnë moshën më të madhe, indeksin e masës trupore (BMI) mbi 30 dhe praninë e anëtarëve të afërt të familjes me diabet të tipit 2.
Nëse një anëtar i afërt i familjes ka diabet të tipit 2, tregojeni mjekut në mënyrë që të ndjekë me kujdes nivelet tuaja të sheqerit.
Aborte spontane (humbje të shtatzënisë)
Abortet spontane janë një nga shkaqet më të zakonshme të humbjes së shtatzënisë. Rreziku i abortit rritet për shkak të faktorëve të caktuar si mosha e gruas shtatzënë, historia me aborte të mëparshme dhe faktorë të stilit të jetesës apo të shëndetit.
Shumë faktorë mund të shkaktojnë abort. Disa dëshmi sugjerojnë se abortet kanë një probabilitet trashëgimie prej 29%. /Gazeta Shneta/


