Duke veçuar pjesën e shqiptarëve që është në kërkim të një pune, shumë të tjerë zgjedhin vetë të mos punojnë.
Së fundmi, INSTAT ka raportuar treguesin e shkallës së inaktivitetit (të mos qenurit aktiv), që përfshin njerëzit në moshë pune, por që janë ekonomikisht joaktivë (të dhënat i përkasin vitit 2018) për një sërë arsyesh, si për shembull pamundësi për të punuar apo mungesë motivimi dhe moskërkim për punë.
Në total, rreth dyzet përqind e popullsisë në moshë pune është joaktive, ku sipas Bankës Botërore, ky është një ritëm shumë më i lartë krahasuar me vende të ngjashme në BE. Treguesi në fjalë është veçanërisht i lartë për gratë dhe njerëzit me arsim të ulët. Se cilat qytete kanë numrin më të lartë të femrave dhe meshkujve, që le të themi janë “dembelë” dhe zgjedhin të mos punojnë i zbulojmë më poshtë:
Shkalla më e lartë e inaktivitetit te burrat është në Dibër, me gati 42% që janë në moshë pune (nga 15 deri në 65 vjeç). Në vend të dytë është Kukësi, që e ka shkallën e inaktivitetit 36%.
Të dhënat e INSTAT i nxjerrin durrsakët gjithashtu pak “dembelë” me shkallë inaktiviteti 35.8%. Pas Durrësit renditet Tirana, që e ka këtë tregues në nivele pothuajse të ngjashme me 35.5%. Më “punëtorët” në 2018-n ishin burrat në Shkodër (27.7%), Vlorë (27.3%) dhe Fier (25.7%).
Inaktiviteti te gratë është më i lartë në krahasim me burrat, pasi ato zgjedhin të mos punojnë në mënyrë që të kujdesen për familjen dhe fëmijët.
Në vend të parë për normën e lartë të inaktivitetit janë gratë që jetojnë në qytetin e Durrësit, ku 56% e atyre që janë në moshë pune (15-65 vjeç) konsiderohen si inaktive nga INSTAT. Në vend të dytë renditen femrat e kryeqytetit, me 55%. Më pas renditen gratë e Lezhës dhe të Kukësit, me përkatësisht 51.3 dhe 49.6%. Ndryshe nga burrat, gratë dibrane renditen te më punëtoret, pasi kanë një normë inaktiviteti prej 42.7%, të dytën më të ulët në vend.
Nivelin më të ulët të inaktivitetit e mbajnë gratë e Elbasanit, me rreth 37%.