Kjo bebe ka një histori që s’duhet ta humbisni

2017-07-23 në ora 13:16

Për shumë nëna shtatzëna, padurimi për të parë beben që do sjellin në jetë është i madh. Por për Erika Jones, kjo pritje u shoqërua me një lajm të keq.

Në javën e 30-të të shtatzënisë, ajo mësoi se vajza që mbante në bark do të lindte me sindromën down dhe më keq akoma, vuante edhe nga një formë shumë agresive e kancerit në tru.

Çifti nga Florida, Erika dhe Stephen Jones, të cilët kanë edhe një vajzë tjetër 2 vjeçe, thonë se u vunë përpara dilemave të mëdha, ndërsa zemërthyer prisnin ardhjen në jetë të fëmijës së dytë.

Foto: May Huszeza /808 Photography

Abigail lindi si fëmijë i shëndetshëm në dukje, por prindërit thonë se jeta e saj nuk mund të jetë më e gjatë se disa javë.

Për shkak të moshës shumë të vogël, kimioterapia përjashtohet si mënyrë për të trajtuar kancerin, i cili është i paoperueshëm.

Doktorët u kanë thënë atyre ta çojnë vogëlushen në shtëpi, pasi nuk u mbetet tjetër veçse ta duan e të kujdesen për të derisa ajo të largohet.

Në pamundësi për të bërë asgjë për vogëlushen e tyre, e cila i ka ditët të numëruara, ata kanë realizuar një set fotografik.

“Nuk duam ta humbasim vajzën tonë. Duam ta shohim të rritet, të qeshë, të kërcejë, të luajë me motrën e të shkojë në shkollë. Por e dimë se jeta e saj mund të jetë disa javë, mbase muaj. Zemrat tona janë bërë copash dhe dhimbja na shoqëron në çdo moment të kohës së kufizuar që i është dhënë Abigail-it”, thonë ata.

Foto: May Huszeza /808 Photography