Gjinia mund të shihet qartë në ekzaminimin ultrasonografik të tremestrit të dytë (java 20 e shtatzënisë).
Në këtë periudhë shihet qartë dallimi midis bebes djalë dhe bebes vajzë. Më vonë gjatë shtatzënisë ky dallim bëhet akoma më i qartë, sepse shtohet vëllimi i lëngut amniotik dhe bebja nuk i mban kofshët të bashkuara. Gjinia e bebes përcaktohet nga gjenet të cilat i trashëgon nga prindërit. Në fazat e hershme të zhvillimit embrional, fryti i gjinisë mashkullore dhe femërore nuk dallojnë mes veti. Në këtë periudhë të gjitha embrionet kanë një të ngritur që quhet protuberanca gjenitale.
Nëse bebja është djalë, testosteroni fillon të prodhohet në javën e shtatë të shtatzënisë dhe bën që kjo protuberancë të rritet dhe të zhvillohet në penis dhe skrotum.
Tek bebja vajzë nga kjo protuberancë do të zhvillohet klitorisi dhe labiet. Ky proces zhvillohet në mënyrë graduale.
Dallimi midis dy gjinive mund të shihet rreth javës së 11 të shtatzënisë. Në këtë periudhë të gjitha bebet e kanë një të ngritur, por te djemtë kjo e ngritur është më e shprehur dhe mbyll një kënd më të gjerë se 30º me kurrizin e bebes; te bebet vajza kjo e ngritur është më horizontale dhe këndi është më i vogël se 30º. Ky dallim shihet më qartë kur bebja është e shtrirë në kurriz.