Një ilaç që përdoret për të trajtuar epilepsinë dhe çrregullimet bipolare mendohet se ka qenë shkak i disa deformimeve tek gati 4100 fëmijë në Francë që nga viti 1967.
Gratë që e kanë marrë këtë ilaç gjatë shtatzënisë për të trajtuar epilepsinë ishin katër herë më të rrezikuara që të lindnin fëmijë me defekte kongjenitale (të lindura), si defekte në shtyllën kurrizore, në zemër dhe organet gjenitale.
Rreziku për zhvillimin e autizmit dhe probleme në zhvillim gjithashtu rezultoi të ishte më i lartë. Një testim paraprak sugjeron se 30-40% e fëmijëve të ekspozuar ndaj këtij ilaçi në mitër mund të vuajnë nga çrregullime të tilla shëndetësore, transmeton Per Nenat.
Pjesa më e madhe e rasteve me defekte në lindje u shfaqën tek gratë që merrnin trajtim për epilepsinë. Gratë me çrregullime bipolare që marrin ilaçin valproate janë gjithashtu dy here më të rrezikuara të lindin fëmijë me defekte në lindje thuhet në raportin e publikuar nga autoritet shëndetësore franceze.
Që në vitet ’80 është ditur për rrezikun e defekteve në lindje të lidhura me ilaçin valproate, sidomos për defektet në shtyllën kurrizore, që ndodhin 20 herë më shpesh tek fetuset e ekspozuar ndaj këtij ilaçi.