Shkencëtarët në Institutin e Bioinxhinierisë së Katalonjës (IBEC), Barcelonë, kanë arritur të zhvillojnë një mitër artificiale për të studiuar një nga fazat më të rëndësishme dhe të paqarta të shtatzënisë: implantimin e embrionit.
Sipas burimit të Euronews Health, ky proces, që ndodh shumë herët pas fekondimit, është i vështirë për t’u vëzhguar pasi embrioni mbetet “i padukshëm” deri në javët e para kur zbulohet me ultratingull.
Rreth 60% e embrioneve dështojnë të ngjiten në mitër ose humben shpejt pas implantimit, duke u bërë një shkak i zakonshëm i aborteve, transmeton Gazeta Shneta.
Mitra artificiale u zhvillua duke përdorur kolagjen dhe proteina për të imituar indin e vërtetë të mitrës.
Në këtë mjedis, u vendosën embrione humane të dhuruara për hulumtim. Për herë të parë, shkencëtarët arritën të filmojnë procesin e implantimit në kohë reale, duke zbuluar se embrionet më të shëndetshme shfaqnin më shumë forcë në ngjitje dhe depërtim. “Embrioni njerëzor është shumë invaziv: ai gërmon dhe tërhiqet fort brenda indit,” tha Samuel Ojosnegros Martos, drejtues i hulumtimit.
Eksperimenti u përsërit edhe me embrione miu, të cilat qëndruan në sipërfaqe, duke treguar se veçantia e embrionit human është aftësia e tij për të depërtuar thellë.
Ky zbulim pritet të ndihmojë në kuptimin e shkaqeve të aborteve dhe në përmirësimin e suksesit të fekondimit in vitro (IVF), i cili ende dështon në fazën e implantimit, edhe kur embrionet janë gjenetikisht të shëndetshme.
Sipas ekspertëve, kjo teknologji mund të hapë rrugën për zhvillimin e trajtimeve të reja, përfshirë ilaçe që rrisin gjasat e implantimit të suksesshëm. /Gazeta Shneta/


