Close Menu
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Psikologji
  • Logopedi
  • Fizioterapi
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook X (Twitter) YouTube
Gazeta ShnetaGazeta Shneta
  • Lajme
  • Teknologji
  • Mjeku juaj
  • Këshilla për shtatzëna
  • Femina
  • Jetë
  • Publikime
  • Më shumë
    • Psikologji
    • Logopedi
    • Fizioterapi
Gazeta ShnetaGazeta Shneta

Mjeku i Javës: Dr. Fitnete Ratkoceri-Statovci, liston hapat e rëndësishëm për të ndërmarr në parandalimin e sëmundjeve

Mjeku i javës 25/05/2024
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Reddit Email Telegram
Dr. Fitnete Ratkoceri - Statovci - Specialiste e Mjekesise Familjare.
Shpërndaje
Facebook WhatsApp Twitter LinkedIn Email Telegram

Në rubrikën “Mjeku i Javës”, kemi kënaqësi të prezantojmë, Dr. Fitnete Ratkoceri – Statovci, Specialiste e Mjekësisë Familjare, në Qendrën e Mjekësisë Familjare nr. XI në Prishtinë.

Dr. Ratkoceri –Statovci, shtjellon gjërat kryesore të punës së përditshme, me një përvojë gjashtëmëdhjetë vjeçare në mjekësi, profesion ky që e deshti shumë që nga fëmijëria.

“Dëshira për tu bërë mjeke te unë ka qenë prezente që nga fëmijëria prandaj dhe kam ndjekur këtë rrugë. Fakultetin e Mjekësisë e kam përfunduar në vitin 2008, ndërsa specilizimin nga Mjekësia Familjar ne vitin 2015. Aktualisht jam duke punuar në përgatitjen e Temës së Masterit që shpresoj ta mbroj së shpejti, ndërsa ushtroj detyrën e Shefes së QMF XI në Prishtinë”, u shpreh Ratkoceri – Statovci, për intervistën javore të Gazetës Shneta.

Një specialist i mjekësisë familjare ofron kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës për individët e të gjitha moshave, duke menaxhuar një gamë të gjerë kushtesh mjekësore dhe duke u fokusuar në kujdesin parandalues dhe mirëqenien afatgjate.

Në kujdesin primar shëndetësor në Kosovë, i cili është i përfaqësuar nga dy nivele të veçanta si: Qendrat e Mjekësisë Familjare (FM) dhe Njësitë e Kujdesit Shëndetësor Ambulantor, qytetarët mund të marrin shërbimet parësore si kontrollet rutinë, vaksinime, menaxhim të sëmundjeve kronike, kujdes parandalues dhe trajtime për sëmundje dhe lëndime nga specialistë të mjekësisë familjare.

Dr. Ratkoceri – Statovci ka thënë se sëmundjet më të shpeshta që i atakon gjatë punës së saj janë:

“Sëmundjet kronike te moshat e vjetra si hipertensioni arterial, bronkitet kronike dhe diabeti, janë mjaft të shpeshta. Në moshat pediatrike janë infeksionet repiratore sezonale, dhe barkqitjet. Por ka edhe patologji të tjera me të cilat përballemi. Ndonjëherë kemi edhe lëndime të ndryshme të cilat mund të kërcënojnë jetën e pacientit dhe kërkojnë veprim të shpejtë dhe profesional për të dhënë ndihmën e parë dhe ti përgatisim për transport në QKUK me ndihmën e Shërbimit të Urgjencës”.

Edukimi i pacientëve për rëndësinë e kujdesit parandalues dhe të zgjedhjeve të stilit të jetesës në rrezikun e zhvillimit sëmundjeve kronike, është një mburojë me të cilën çdo mjek duhet të punoj në vazhdimësi.

Këshillat për stilin e jetës, duke përfshirë dietën ushqyese, aktivitetin e rregullt fizik, gjumin adekuat dhe menaxhimin e stresit janë vetëm disa pika kyçe ku çdo protokoll mjekësor i jashtëm mbështet burimet primare të kujdesit parandalues të sëmundjeve.

Në anën tjetër, Dr. Ratkoceri – Statovci, shpjegon në detaje se si duhet të kujdesemi dhe të mundohemi të marrin hapat parandalues në reduktimin e mundësive për zhvillimin e sëmundjeve:

“Modifikimi i stilit të jetës është faktor shumë i rëndësishëm për pothuajse të gjitha sëmundjet kronike. Duke filluar nga mënyra e ushqyerjes, (kufizimi i kripës, sheqerit, yndyrnave, konsumimi i frutave dhe perimeve, etj), aktiviteti fizik i rregullt, mos përdorimi i alkoolit, duhanit dhe produkteve të tjera të dëmshme kanë ndikim të madh në pothuajse shumicën e sëmundjeve kronike e sidomos atyre kardiovaskulare. Përdorimi i rregullt i terapisë dhe diciplina në zbatimin e këshillave të mjekëve janë qelës për një menaxhim të suksesshëm. Të mos harrojmë, gjumi i rregullt është poashtu shumë i rëndësishëm për një imunitet të mirë.”

Duke parë trendi në rritje të sëmundje infektive dhe dukurive negative të lidhura me shëndetin ne parashtruam një pyetje rreth tendencës së kohëve të fundit për ndonjë sëmundje infektive të shfaqura për të cilat praktikuesit e mjekësisë familjare duhet të jenë të vetëdijshëm?

“Është shqetësues trendi në rritje i përdorimit të duhanit dhe substancave tjera të dëmshme nga të rinjtë. Ka një mosinteresim nga të rinjtë për edukatën shëndetësore dhe këshillat e mira për shëndetin. Ekziston përshtypja e përgjithshme se numri i sëmundjeve malinje po shtohet dhe duke qenë se ato kanë etiologji multifaktoriale patjetër që në mesin e faktorëve të rrezikut duhet të jenë edhe sjelljet jo të drejta të njerëzve në lidhje me shëndetin në përgjithësi. Prandaj krahas mjekimit të sëmundjeve, mjeku familjar duhet ti kushtojë shumë rëndësi edhe aspektit të edukimit shëndetësor të popullatës”, ka theksuar Dr. Ratkoceri – Statovci.

Një çështje që na ka mësuar të gjithëve nga e para – rregullat parësore rreth shëndetit, padyshim se ishte pandemia me COVID-19. Se si është përshtatur praktika e mjekëve me sfidat e paraqitura nga pandemia COVID-19, Dr. Ratkoceri – Statovci na përafron në objektivat e dëshiruar:

“Pandemia ishte një stuhi e vërtetë për gjithë popullatën por sidomos për punëtorët shëndetësor. Ishte një situatë e rëndë kur mund të ishim viktima edhe vetë dhe njëkohësisht me vetëmohim mundoheshim të jemi në shërbim të pacientëve të prekur. Sidoqoftë pandemia na i mësoi disa gjëra të rëndësishme të cilat na vetëdijësuan të gjithëve. Sot vazhdojmë ti mbajmë maskat në çdo vizitë të pacientit, i gjithë stafi janë më të kujdesshëm për higjenën e institucioneve shëndetësore dhe parandalimin e infeksioneve.”

Në praktikat mjekësore, teknologjia e avancuar është një mjet me të cilën shumë procese janë shtyer përpara, duke lehtësuar dhe punën e përditshme të mjekëve dhe mes tjerash, ofrimin e shërbimeve cilësore.

Dr. Ratkoceri- Statovci ka ndarë me neve faktin që Sistemi Informativ Shëndetësor (SISH), i cili aplikohet tasht e disa vite në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, të ketë lehtësuar punën dhe të mundësuarit e shërbimeve cilësore rreth dosjes së pacientëve me informacionet kryesore rreth gjendjes ekzistuese.

“Në praktikën e mjekut familjar një ndihmesë të madhe na jep aplikimi i SISH (Sistemi Informativ Shëndetësor) për mes të cilit ne kemi qasje në gjithë historinë e sëmundjeve të pacientit dhe terapive që ka marrë në të kaluarën. Sot me një aparat laboratorik fare të vogël mund të realizojmë shumë analiza biokimike edhe në Qendrat e Mjekësis Familjare dhe kjo përbën ndihmesë kualitative në punën e mjekut familjar”.

Ne jemi të dedikuar të rrisim ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së imunizimit dhe nivelit të vaksinimit në vendin tonë. Andaj në çdo intervistë kemi një pyetje të rezervuar për mantilbardhët që të diskutojnë rëndësinë e imunizimit tek popullata jonë.

“Në kohën e pandemisë u shfaqën shumë dilema dhe teori konspirativ tek popullata në lidhje me vaksinimin. Por ne si mjekë e dijmë shumë sigurtë dhe s’ka asnjë dilemë se historikisht vaksinat kanë shpëtuar jetën e miliona njerëzve nëpër botë dhe poashtu në vendin tonë. Zbulimi i vaksinave ishte dhe mbetet një nga arritjet shumë të mëdha në mjekësi, sidomos për sëmundjet e shkaktuara nga viruset për të cilat akoma nuk kemi barna efektive kundër tyre. Do të jetë një ditë e madhe kur të zbulohet vaksina kundër HIV ose kundër kancereve të ndryshme. Së fundmi ka filluar të aplikohen edhe vaksina të reja si ajo kundër papilloma virusit e cila parandalon kancerin e qafës së mitrës. Unë i inkurajoj të gjithë prindërit që të mos hezitojnë por të bëjnë vaksinimin e rregullt të fëmijëve të tyre sespe ju kanë borxh fëmijëve të vet një gjë të tillë. Joprofesionistët dhe teoricientët konspirativ nuk janë personat e duhur për ti dëgjuar në lidhje me vaksinimin prandaj nuk duhet të bini nën ndikimin e tyre”, ka thënë Dr. Ratkoceri – Statovci.

Mjekësia Familjare në Kosovë, si çdo fushë tjetër e mjekësisë, po përballet me sfida të mëdha. Dr. Ratkoceri- Statovci ka theksuar se “mungesa e sigurimeve shëndetësore dhe mos përcaktimi i pacientëve për një mjek familjar që e përcjell në vazhdimësi bën që pacientët të shetisin nga një mjek tek tjetri duke mos patur kontinuitet në perkujdesjen mjekësore nga një mjek familjar”.

Dhe këtu nuk përfundon e gjitha!

“Numri i madh i pacientëve që një mjek familjar duhet të vizitoj gjatë orarit të punës bën që shpesh herë mjeku të mos mund të thellohet në problematikën shëndetësore të pacientit. Një sfidë tjetër e përditshme është edhe niveli i ultë i edukatës shëndetësore te një pjesë e popullatës të cilët padrejtësisht duan të imponojnë vullnetin e tyre për mënyrën e mjekimit, për realizimin e pushimeve mjekësore të panevojshme, vërtetime jo legjitime për mungesë nga shkolla, puna, etj.”

“Dhe një sfidë tjetër profesionale e përditshme është që të zgjedhet momenti i duhur se kur duhet udhëzuar një pacient në institucionin mjekësor sekondar dhe terciar, pa u vonuar por njëkohësisht të mos udhëzohet pa shteruar të gjitha mundësitë që i ka mjeku familjar për trajtimin e pacientit”, ka thënë mes tjerash, Dr. Ratkoceri – Statovci.

Mesazhi i fundit për intervistë, i dedikohet atyre që duan ose kanë menduar të zgjedhin profesionin e mjekësisë familjare në specializimin e tyre të ardhshëm.

“Mjeku familjar i kujdesshëm shpëton jetë sepse ka rastin që i pari të zbuloj simptomat e sëmundjeve të ndryshme dhe nga hapat e duhur që i ndërmerr ndikon në diagnostikimin e hershëm të sëmundjes dhe kështu ka ndikim në ecurinë e sëmundjes më vonë”.

– Dr. FITNETE RATKOCERI STATOVCI.

/Gazeta Shneta/

Artikulli paraprakEkspozimi i qëllimshëm ndaj rrezatimit diellor mund të shkaktojë kancer të lëkurës
Artikulli i rradhës Metoda inovative për heqjen e lezioneve të dyshimta të mushkërive

Ju sugjerojmë

Infektologia Kurteshi: Temperaturat e larta rrisin rrezikun e infeksioneve, higjiena mbetet mbrojtja më e mirë

21/07/2026 Lajme

Mjeku i Javës – Dr. Valon Hamza: Si ndikojnë temperaturat e larta në sistemin tretës

16/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës – Dr. Ramadan Halimi: Kur ankthi maskohet si sëmundje – simptomat që ngatërrojnë pacientët

06/07/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Zarife Rexha flet për rrezikun nga temperaturat e larta për pacientët me sëmundje kardiovaskulare

29/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Albana Bislimi Krasniqi flet për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe sfidat e furnizimit me gjak në Kosovë

22/06/2026 Mjeku i javës

Mjeku i Javës: Dr. Rreze Serhati-Morina flet për sëmundjet e tiroides, simptomat dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë

15/06/2026 Mjeku i javës
Na ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
  • YouTube
Rreth nesh
Rreth nesh

Gazeta Shneta është produkt medial që i kushtohet vetëm shëndetësisë.

Këshillat mjekësore të postuara nga Gazeta Shneta janë të natyrës edukative.

Kontakt

Pronari i medias: Bujar Vitija

Redaktore: Diana Basholli

Email: [email protected]

Adresa: Rr. Vicianum, Prishtinë, pn.

Marketing

Email: [email protected]

Tel: +383 44 701 781

Përmbajtja

Gazeta Shneta është e hapur ndaj partnerëve të marketingut.

Linqe

Privacy Policy

Facebook X (Twitter) Instagram YouTube
© 2026 Gazeta Shneta

Shkruani fjalën dhe klikoni Search/Enter për të kërkuar. Klikoni X për ta anuluar.