Në rubrikën “Mjeku i Javës” në Gazetën Shneta kësaj radhe vjen specialisti i Kirurgjisë Vaskulare në QKUK Prof. Ass. Dr. Luan Jaha. Doktori Luan Jaha është profesor i Kirurgjisë në fakultetin e Stomatologjisë dhe fakultetin e Infermierisë Kolegji AAB.
Ai ka ndarë më ne informata lidhur me sëmundjet vaskulare të arterieve karotide duke treguar faktorët që ndikojnë në këtë sëmundje, trajtimi që mund të bëhet, pasojat nëse nuk trajtohet me kohë si dhe këshillat se si të mbrohemi nga kjo sëmundje, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas dr.Jahës, arteriet karotide janë dy arterie çift që furnizojnë trurin me gjak dhe që truri të funksionojë në mënyrë normale këto arterie duhet të jenë në gjendje të rregullt.
Arteiet karotide janë dy arterie çift që furnizojnë trurin me gjak. Çiftin tjetër të arterieve e bëjnë arteriet vertebrale. Gjendja e tyre e rregullt është parakusht për funksionimin normal të trurit. Ngushtimi i tyre me pllaka aterosklerotike (stenoza) ose zgjerimi i tyre (aneurizma) mund të kenë pasoja katastrofale cilësië e jetës dhe për vetën jetën, –tregoi dr. Luani
Dr. Luani tregoi se ngushtimi i enëve të gjakut të personat që vuajnë nga probleme të ndryshme shëndetësore si: hipertensioni, yndyrna të rritura në gjak, mbipeshë dhe që pinë duhan ndodh më shpejt sesa te personat të cilët nuk vuajnë nga këto probleme. Po ashtu tregoi se në këto raste enët karotide dërgojnë më pak gjak në tru dhe ndonjëherë ndodh që nga sipërfaqet e pllakave të shkëputen pjesë që rrjedha e gjakut i qafa në arteriet e trurit.
Ngushtimi i enëve të gjakut është proces natyror i plakjes. Te disa njerëz, ata me hipertension, diabet, yndyrna të rritura në gjak, mbipeshë dhe që pinë duhan, fatkeqësisht kjo plakje vjen më herët. Rol kanë edhe faktorët gjenetikë. Kur kjo ndodh në enët karotide, ato çojnë më pak gjak në tru. Manifestime klinike të atrofisë së trurit janë harresa, mbajtja e dobët mend, rezonimi i dobët, mungesa e orientimit ndaj vetës, të tjerëve, në kohë dhe në hapësirë, pengesa në të folur dhe ecurr dhe kështu me radhë.
Ndonjëherë, nga sipërfaqa e pllave që kanë ngushtuar arterien karotide shkëputen pjesë (trombe) që rrjedha i gjakut i çon nga qafa në arteriet e trurit. Sa më i madh është trombi më e madhe është arteria në tru që mbyllet – rrjedhimisht një pjesë më e madhe e trurit, që është furnizuar nga kjo arterie, mbetet për gjak.
Prezantime klinike të kësaj ngjarje mund të jenë ataqe iskemike në tru ose sulme në tru. Në të dy rastet pacienti ndjen dobësi të një pjeset të fytyrës dhe të ekstremiteteve, flet pakuptueshëm ose nuk flet fare, ndodhë që të mos kuptoj pytjet që i bëjmë, ka pengesa në të parë me njërin ose të dy sytë, marramendje, humbje të drejtpeshimit dhe kokëdhembje të forta. Në rastet e ekstreme humb krejt vetëdijen.
Kur këto shenja dhe simptome tërhiqen brenda disa minutave, flasim për atak iskemik tranzitor. Nëse ato janë permanente, flasim për inzult cerebral, – dha detaje dr. Jaha.
Personat të cilët vuajnë nga artieret karotide në shumicën e rasteve operohen. Nëse pacienti ka pasur sulm nga artieret karotide edhe është shëruar plotësisht nga sulmi përsëri duhet t’i nënshtrohet operacionit pasi që ka rrezik që mund të ketë përsëri sulm. Pacientët të cilët kanë pasur sulm dhe fatkeqësisht sulmi u ka lënë pasoja që janë definitive dhe të rënda ndodh që në këto raste nuk ndodh intervenimi kirurgjik.
Nëse përpunimi diagnostik i pacientit që ka pas sulm në tru tregon që shkaku i sulmit janë arteriet karotide, respektivish se ngushtimi i tyre është më i madh se 70%, ato duhet të operohen. Sidomos nëse pacienti ka pasur sulm nga i cili është shëruar plotësisht. Kjo, për shkak se studimet kanë treguar se çdo i treti person që ka pasur një sulm tranzitor do të ketë një sulm permanent brenda vitit nëse nuk operohet. Nëse pasojat e sulmit në tru janë defintive dhe të rënda, ndodh që pacientët, edhe përkundër stenozave që kanë nuk do ti operojmë.
Kandidat për operacion janë edhe pacientët që nuk kanë pasur sulm në tru nëse ngushtimi i arterive të tyre karotide është më i madh se 60%, respektivisht 70% dhe ata që kanë pllaka jostabile në arteriet e tyre karotide. Vendimi për operacion merr parasysh edhe faktorët tjerë si sëmundjet shoqëruese, moshën e pacientit, kapacitetin për rehabilitim dhe kështu me radhë.
Pasi që vendosim për operacion, pacientit i ofrojmë dy mundësi – një është operacioni i hapur, ndërsa tjetri vendosja e stentit. Përcaktimi për njërin ose tjetrin është i bazuar në shumë faktorë në mes të të cilëve kryesor është gjendja e përgjithshme e pacientit. Ka një koncensus që sa më i rëndë që është pacienti më shpesh ti rekomandohet stenti.
Alternativa për operacion është mjekimi konzervativ, rezultatet e të cilit, gjithashtu janë përmirësuar dukshëm në vitet e fundit. Sidiqoftë kirurgjia mbetet me qenë zgjidhja më e mirë,– shpjegoi doktori.
Tutje doktori shtoi se nëse kjo sëmundje nuk trajtohet me kohë varësisht nga komplikacioni në rastin e fundit mund të përfundojë me vdekje.
Sulmi në tru është komplikacioni kryesor i stenozës së arteries karotide. Manifestimi klinik i këtij sulmi varet nga zona që ka përfshirë iskemia, respektivisht nëse sulmi ka goditur trurin e madh [hemisferat), trurin e vogël ose trunkun cerebral. Në rastin e fundit mund të përfundojë edhe me vdekje, – shtoi ai.
Sipas kirurgut vaskular, mënyra më e mirë për të parandaluar stenozën e arterieve krotide dhe pasojat eventuale është kontrollimi i tensionit, diabetit, yndyrnave në gjak dhe peshës trupore si dhe ndërprerjen e tymosjes së duhanit.
Modifikim i faktorëve të rrezikut është mënyra më e mirë për të parandaluar stenozën e arterieve krotide dhe pasojat eventuale. Kjo nënkupton kontrollin e tensionit, diabetit, yndyrnave në gjak dhe peshës trupore si dhe ndërprerjen e tymosjes së duhanit. Dieta e shëndetshme, më pak kripë në ushqim, aktivitet i rregullt fizik dhe abstenimi nga alkooli janë masa të rëndësishme, gjithashtu.
Nëse pacientët kanë faktorë të rrezikut dhe sidomos nëse janë mbi moshën 60 vjet është e këshillueshme që të bëjnë një ultrazë të karotideve për ta vlerësuar gjendjen e tyre. Disa shtete, sidomos kompani të sigurimeve në këto shtete kanë programe nacionale të skriningut për stenozë të karotides, – përfundoi doktor Luani. /Gazeta Shneta/