Mjeku kosovar, Arbër Shehu, është bërë Drejtor i Asociuar Mjekësor/Drejtor Mjekësor i SHBA-së për Onkologji, Çështje Mjekësore në kompaninë e njohur biofarmaceutike, AstraZeneca.
Lajmin e ka bërë të ditur Shehu përmes një postimi në Instagram.
“Duke filluar nga data 28 nëntor, do t’i bashkohem një prej kompanive më të mira biofarmaceutike në botë, AstraZeneca, si Drejtor i Asociuar Mjekësor/Drejtor Mjekësor i SHBA-së për Onkologji, Çështje Mjekësore”, ka thënë ai.
AstraZeneca është një kompani farmaceutike dhe bioteknologjike britaniko-suedeze, me selinë e saj në Kampusin Biomjekësor të Kembrixhit, në Kembrixh, Angli.
Mjeku nga Kosova, Arbër Shehu, nga një i mbijetuar i gjenocidit serb, në një student të shkëlqyer të mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, pas punës klinike si mjek në Kosovë, u pranua për të vazhduar studimet postdiplomatike në shkencat mjekësore në Universitetin e James Madisonit, në shtetin e Virginias të ShBA-së.
Pas diplomimit, ai siguroi një pozicion në Universitetin e Johns Hopkins, fakultetin e mjekësisë, në departamentin e sëmundjeve mushkërore dhe kujdesit intensiv, duke menaxhuar dhe koordinuar një laborator të ri të kërkimeve shkencore që u krijua për të kryer hulumtime që u ofron informacion praktikave më të mira mjekëve që trajtojnë COVID-19.
Pas punës dhe bashkëpunimeve me shumë qendra tjera spitalore ndërmjet grupit ai punon, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Kontrollin e Sëmundjeve (QKS) në SHBA, Shehu gjithashtu u bë një nga autorët e një studimi për efektivitetin e vaksinave Pfizer dhe Moderna.
Vetëm në vitin e fundit publikuan mbi 10 punime shkencore në revistat prestigjioze botërore, që në mënyrë të vazhdueshme e informuan QKS, Departamentin e Shëndetit dhe Administratën e Presidentit Biden, në lidhje me efektivitetin e vaksinave Covid-19 në parandalimin e hospitalizimit, ventilimit mekanik dhe vdekjes.