Edhe nëse tundja është mënyra e vetme që fëmijën tuaj ta zërë gjumi, ajo duhet shmangur për të siguruar një gjumë të rehatshëm për fëmijën. Tundjet në krahë, krevat apo karrocë mund të qetësojnë të qarat e fëmijës në moment, por nuk i lejojnë ata të pushojnë siç kanë nevojë.
Mund të jetë zgjidhje momentale, por nuk është e duhura
Tekat, të qarat e llastimet e fëmijëve, shpesh ndikojnë që prindërit të jenë të pasigurtë e të provojnë çdo mënyrë për t’i vënë në gjumë dhe kjo mund të çojë drejt mënyrave të gabuara. Tundja e fëmijës gjatë vënies në gjumë nuk lejon që fëmija të bjerë në gjumë të thellë, e për këtë arsye nuk do të relaksohet sa ka nevojë. Marc Weissbluth është një pediatër amerikan dhe autor i disa librave mbi gjumin e fëmijëve. Ai e krahason këtë mënyrë të vënies në gjumë me gjumin e një të rrituri në avion. Nga ana tjetër, nëse fëmija mësohet në këtë formë, nuk do të flejë në asnjë mënyrë tjetër dhe kjo mund të bëhet shqetësuese, gati e pamundur për prindin.
I vetmi rast kur këshillohet tundja
Nga ana tjetër pediatri këshillon që fëmija të tundet, vetëm pasi i ka dalë gjumi i shqetësuar. Atëherë tundja do të shërbejë që fëmija të qetësohet dhe të bëjë bëjë një gjumë cilësor.
Vendosini regjim të rregullt fëmijës
Gjithashtu është shumë e rëndësishme që fëmijët të kenë një regjim të rregullt gjumi që përfshin orar të njëjtë çdo ditë, ambient relaksues në dhomën e gjumit pa praninë e televizorit, celularit apo pajisjeve të tjera teknologjike./pernenat.al/