Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se mbrëmë ka ndërruar jetë prof. Ilir Begolli, profesor në Mjekësinë Sociale në Fakultetin e Mjekësisë, Univeristeti i Prishtinës.
IKSHPK’ja njofton se me rastin e vdekjes së tij, të hënën më 14 gusht, nga ora 10:00 do të mbahet mbledhje komemorative për të nderuar veprën dhe jetën e tij, transmeton Gazeta Shneta.
Postimi i plotë nga IKSHPK’ja:
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njofton se mbrëmë ka ndërruar jetë Prof. Dr. Ilir Begolli, profesor shumë vjeçar i Mjekësisë sociale në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe specialist i shëndetësisë publike në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Dr. Ilir Begolli është lindur më 20 prill 1953 në Pejë, ku kishte mbaruar shkollimin fillor për të vazhduar pastaj në Prishtinë.
Dr. Ilir Begolli, studimet bazike i kishte përfunduar në vitin 1978 në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Kosovës; Specializimin në Mjekësi Sociale në vitin 1982; në vitin 2001 ka përfunduar magjistraturën në fushën e Shëndetësisë publike; ndërsa në vitin 2009 doktoraturën po ashtu, në fushën e shëndetësisë publike.
Gjatë karrierës së tij të pasur akademike dhe profesionale, përveç angazhimit në procesin edukativ dhe arsimor, dr. Ilir Begolli ishte hartues dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejt në krijimin e dokumenteve dhe strategjive zhvillimore të sistemit shëndetësor në Kosovë; duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm përmes angazhmit të tij profesional si mësimëdhënës dhe si ekspert në lëminë e shëndetësisë publike, për çka do të jetë i vlerësuar gjithmonë nga niveli akademik, kolegët, studentët, qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme në Kosovë.
Me rastin e ndarjes nga jeta të profesor Begollit, të hënën më 14 gusht, në ora 10:00, në IKSHPK, do të mbahet mbledhje komemorative për të nderuar veprën dhe jetën e tij.