Nëna shqiptare: Mendova se vajza ime ishte mjaft energjike, derisa mjekët thanë që e ka këtë sëmundje

2018-07-21 në ora 09:43

Çrregullimi i Vëmendjes së Pamjaftueshme me Hiperaktivitet apo ADHD-ja është një ndër problemet më të njohura të zhvillimit të fëmijës, që karakterizohet nga mungesa e vëmendjes, aktiviteti i shtuar dhe impulsiviteti.

Ajo që dihet për të, është se këto shenja vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në moshë të rritur. ADHD-ja është çrregullimi i zhvillimit të kohëzgjatjes së vëmendjes (në përshtatje me moshën), kontrollit, nxitjes, mungesës së qetësisë dhe sjelljeve drejtuese, që zhvillohet në periudhën e vonë të foshnjërisë ose gjatë fëmijërisë së parë (deri në moshën 6 vjeç).

Fëmijët me ADHD kanë vështirësi në vëmendje dhe përqendrim, nuk qendrojnë dot urtë e nuk presin radhën e tyre, mund të bërtasin kur duan të përgjgjen në klasë, ndërkohë që fëmijët e tjerë ngrenë dorën. Ndonjëherë ata janë të paorganizuar, të hutuar dhe harrojnë. Mund të humbasin gjërat e sendet personale dhe nuk arrijnë të përfundojnë detyrat.

ADHD-ja është një çrregullim biologjik dhe neurologjik, që shfaqet në problemet me neurotransmetuesit, të cilët çojnë mezashet në tru, ndaj dhe trajtimi i ADHD (nëse rezulton ky çrregullim) duhet të jetë i gjithanshëm dhe multidimensional.

Këta fëmijë kanë një natyrë të veçantë, e cila shprehet për një kohë realtivisht të gjatë dhe është e vështirë të studiohet duke u mbështetur vetëm në dëmtimet sensore (shqisore), motore apo çrregullimet emocionale. Pra, është e domosdoshme që fëmija t`u nënshtrohet disa vlerësimeve, për të dalluar nëse problemi që ka me sjelljen është ADHD.

Hiperaktiviteti ka efekte në zhvillimin e fëmijës dhe mund të vështirësojë marrëdhëniet e tij me moshatarët dhe të tjerët, marrëdhënie këto që kontribuojnë në lumturinë e fëmijës dhe lidhen pazgjidhshmërisht me zhvillimin e tij. Fëmijët me vështirësi në marrëdhëniet me moshatarët mund të refuzohen prej tyre ose e kanë të vështirë te kënë një shok/shoqe të ngushtë; mund të jenë më të prekshëm nga çrregullimet emocionale dhe ato të sjelljes.

Prindërit e fëmijëve me ADHD në përgjithësi nuk e raportojnë faktin që fëmija i tyre nuk përfshihet në punët në grup. Këta fëmijë zakonisht shihen si të turpshëm dhe të tërhequr nga moshatarët e tyre, të cilët i refuzojnë për shkak të sjelljeve agresive me shenja impulsiviteti e hiperaktiviteti.

“Ani është një vajzë 8-vjeçare që duket sikur është vazhdimisht në lëvizje. Ajo kalon shpejt nga një aktivitet në tjetrin dhe flet pa pushim; shpesh Ani harron të marrë detyrat që mësuesja i cakton për në shtëpi, i lë librat në shkollë ose, kur kujtohet të bëjë detyrat, harron t`i shënojë tëgjitha, duke mbetur pas dhe duke humbur programin mësimor. E ëma e Anit gjithmonë ka menduar se vajza e saj është një fëmijë e shkathët e plot energji dhe se pjesën më të madhe të kohës është e përgjegjshme. Anit, që e vogël, i pëlqente të hipte në mobiljet e shtëpisë, gjë që vazhdon ta bëjë edhe sot, por duket sikur ajo nuk “e vret mendjen” për rrezikun dhe kjo është një sjellje të cilën e bën pa u menduar gjatë. Këtë verë, duke u përpjekur të hipte në një pemë në oborrin e shtëpisë, Ani u rrëzua dhe theu krahun. Kohët e fundit, mësuesja e Anit ka kërkuar praninë e prindërve të saj gati dy herë në javë, për shkak të sjelljeve të saj problematike në klasë, të cilat shpien në ndërprerjen e procesit mësimor, si dhe për ngacmimet ndaj shokëve/shoqeve të klasës. Ani nuk përqëndrohet të mbarojë një detyrë të caktuar, pavëmendja dhe aktiviteti/lëvizshmëria e saj po ndikojnë dukshëm në nota dhe në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët”.

Rasti më lart, sipas psikiatres për fëmijë dhe adoloshentë, Florida Dobi, është karakteristik për një fëmijë që vuan nga Çrregullimi i Vëmendjes së Pamjaftueshme me Hiperaktivitet (ÇVPH) ose Attention Deficit Hyperactivity Disorder (ADHD).

Shkëputur nga revista Living, Psikiatër Florida Dobi *Përgjegjëse e Qendrës Komunitare e Shëndetit Mendor Nr.1