Nënat duhet t’i dinë këto gjëra për ushqyerjen me gji në plazh

2017-05-24 në ora 09:47

Nëse fëmija nuk e pëlqen ambientin e plazhit dhe është koha që duhet të pijë, duhet të merrni në konsideratë mbështjelljen e tij me shallin tuaj të hollë të plazhit. Kështu ai do të ndiejë vetëm kontaktin me lëkurën tuaj.

Gjoksi juaj do të rritet ndjeshëm dhe do të ishte mirë të ndryshonit edhe numrin e rrobave të banjos. Kjo do t’ju bënte të ndiheshit më pak në siklet.

Para se të vendosni fëmijën të pijë duhet të kontrolloni mirë gjirin nëse ka apo jo rërë sipër. Do të ishte mirë që nëse jeni futur në det para se të ushqeni fëmijën të shplanit gjirin me ujë të pijshëm.

Ashtu si çdo ambient i jashtëm edhe plazhi mund të japë bezdi tek fëmija. Era, vapa, zërat rreth e rrotull. Vëzhgoni nëse fëmija e pëlqen këtë ndërsa pi apo nëse i jep bezdi. Nëse ndodh kjo e fundit duhet të zgjidhni një vend më tepër intim për ta ushqyer.

Ushqyerja me gji kërkon shpenzimin e një energjie të madhe, pa harruar të përmendim edhe vapën. Kështu do t’ju këshillonim të pinit më tepër ujë se zakonisht si edhe të ushqeheshit shumë shëndetshëm. Në vend të akullores, tortës së akullit, etj do të ishte më mirë të pinit lëngje frutash të shtrydhyra, të konsumonit sallata frutash, etj.