Pasi hoqi mantelin e infektologes, Luljeta Buçinca-Zhubi, më 1 qershor të vitit 2021, mori udhëheqjen e Spitalit të Mitrovicës, fillimisht si ushtruese e detyrës e nga 19 marsi i 2022-ës, si drejtoreshë ekzekutive.
Dhjetë ditë para se të zgjidhej drejtoreshë, më 9 mars, ajo arriti një marrëveshje me drejtorin e atëhershëm të ShSKUK-së, Valbon Krasniqin, për një transferim nga QKUK. Nga kjo qendër për në Spitalin e Mitrovicës u transferua inkasanti Valdrin Demiraj, i cili është i biri i kryinfermierit në Repartin e Neurologjisë, Lavdim Demiraj.
Ani pse e mohon se ka pasur ndikime, Zhubi e konfirmoi se kryeinfermieri ka shkuar vetë në zyrën e saj dhe ka kërkuar nga ajo që t’ia mundësojë transferimin djalit të tij. Ndonëse insiston se nuk ka pasur “gisht” në këtë transfer, nga ShSKUK-ja i kanë thënë KIKS-it se Demiraj është transferuar në Spitalin e Mitrovicës me një marrëveshje, e cila mban nënshkrimin e Zhubit.
“Z. Valdrin Demiraj është transferuar nga QKUK-ja në SP Mitrovicë me marrëveshjen e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë dhe drejtorit të ShSKUK-së”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së.
Sipas këtij vendimi, Demiraj do të ketë kontratë me kohë të pacaktuar në këtë spital. Në një bisedë telefonike me KIKS-in, Demiraj ka thënë se vendimi për transferin e tij është krejtësisht ligjor dhe se me këtë rast nuk është shkelur asnjë ligj.
Ndonëse Demiraj u transferua në zyrën e Sistemit Informativ Shëndetësor, drejtoresha e konfirmoi për KIKS-in se ky sistem nuk është aktiv në Spitalin e Mitrovicës. Andaj, thotë se Demiraj merret me punë shtesë, për ta përmbushur orarin e tij të punës.
Lavdim Demiraj nuk është punonjësi i vetëm i këtij spitali që rehatoi djalin e tij në punë pranë vetes. Njësoj si ai veproi edhe gjinekologu Avni Fejza. Ai përzgjodhi kushërirën e tij, Jehonën, në konkursin për infermierë, ku ishte kryetar i komisionit.
Përzgjedhjen e saj në këtë pozitë, ai nuk e sheh si konflikt interesi dhe thotë se nuk ka pasur kohë ta njoftojë drejtoreshën se njëra nga kandidatet është kushërira e tij. Bashkë me Jehonën, në këtë konkurs u pranua edhe Diellza Jashari, mbesa e ish-drejtorit mjekësor në këtë spital, Naser Jasharit.
Në një intervistë për KIKS Kosovën, Jashari e mohon se ka ndikuar që vajza e vëllait të tij të zgjidhet në këtë pozitë.
Ani pse thotë se nuk është e informuar për këto raste, drejtoresha mendon se punësimi i familjarëve në institucionin e udhëhequr nga ajo nuk duhet të jetë shqetësues.
Një konkurs tjetër i dyshimtë në Spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” është edhe ai për farmacist. Më 26 prill të 2022-ës, komisioni rekrutes përzgjodhi në këtë pozitë Anita Pllanën. Ajo nuk e pati fare të vështirë ta fitonte këtë pozitë, ku doli e para më 94.2 pikë, pasi që konkurrentë të vetëm pati dy kushërinjtë e saj, Faton dhe Galdim Pllanën.
Anita është e bija e urologut Sadri Pllana, i cili konkurroi për drejtor të këtij spitali dhe më pas u tërhoq nga gara. Megjithatë, Zhubi, e cila u zgjodh drejtoreshë në atë konkurs, e mohon se punësimi i vajzës së Pllanës u bë me qëllim të kthimit të favoreve.
KIKS Kosova ka telefonuar Anita Pllanën, për të sqaruar nëse konkursi ishte i kurdisur për të fituar ajo dhe për lidhjen e saj familjare me dy kandidatët e tjerë, por ajo nuk ka kthyer përgjigje./Klan Kosova/