Nëse foshnja nuk pi qumësht, zëvendësojeni atë me këto ushqime

2017-05-17 në ora 16:47

Qumështi është një ushqim shumë i rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e mirë të fëmijës, megjithatë mund të vijë një moment që fëmija të mos e dojë më.

Si mund ta zëvendësojmë qumështin?

Qumështi përbëhet nga proteina, karbohidrate, yndyrna dhe laktozë. Ai përmban gjithashtu edhe shumë kalçium. Pra duhet të zëvendësohet me ushqime që kanë një përbërje elementësh të njëjtë ose shumë të ngjashme. Përsa i përket kalçiumit, fëmija mund ta marrë nëpërmjet djathit (përfshirë këtu edhe mocarelën), kosit, gjizës, bishtajoreve (fasule, bizele, qiqra, thjerrëza). Konsumi ideal i këtyre ushqimeve është të paktën 3 herë në javë.

Po në mëngjes?

Fëmija mund të konsumojë drithëra me qumësht, por mund t’i ofroni edhe një gotë me lëng frutash të përgatitura në shtëpi. Nuk duhet të shtoni sheqer dhe duhet të përdorni sa më shumë fruta të stinës.  Ai mund të hajë edhe kos me fruta të freskëta, ose një pjatë me fruta të copëtuara. Nëse fëmija e refuzon qumështin, shpesh ndodh sepse nuk i pëlqen shija dhe kështu mund t’i ofroni qumësht me prejardhje vegjetale, si qumështin e orizit, bajames, sojes ose tërshërës. Nëse fëmija është pak më i rritur mund të konsumojë bukë të thekur me reçel jo shumë të ëmbël (tip marmelate), biskota të përgatitura në shtëpi, një tortë me mollë të përgatitur nga ju etj. Dieta e tij duhet të jetë e pasur me fruta, perime, mish dhe peshk.