Oda e Mjekëve të Kosovës ka shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve për vdekjen e Dr. Feti Hetemit, i cili ndërroi jetë pas sëmundjes së Covid-19.
Oda e Mjekëve e ka përkujtuar Hetemin si mjek që ka dhënë kontribut që nga vitet e 90-ta si kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza” në regjionin e Vitisë. Hetemi kishte ngritur sistemin paralel të shëndetësisë në anamoravë dhe gjithashtu kishte qenë i angazhuar si mjek në UÇK, transmeton Gazeta Shneta.
Lexoni letrën e plotë të OMK-së:
Humb betejën me koronavirusin specialisti i mjekësisë interne nga Vitia
Ndahet nga jeta në moshën 66 vjeçare Dr. Feti Hetemi
Dr. Hetemi studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës ku në vitin 1979 diplomoi si mjek i përgjithshëm, kurse specializimin për mjekësi interne e përfundoi në vitin 1986 ne Zagreb.
Në vitet e 80-ta ishte delegat i Kuvendit të Kosovës, ku me iniciativën e tij themelohet Qendra për Hemodializë në Spitalin regjional të Gjilanit dhe Dispanserinë për Nefrologji në Viti.
Dr. Hetemi ka qenë rreth 14 vite kryetar i Shoqatës humanitare “Nëna Terezë” për regjionin e Vitisë dhe njëherit anëtar i kryesisë qendrore në Prishtinë, i cili në kohen e represionit serb, ngriti sistemin paralel të shëndetësisë, i cili u shërbente falas popullatës së Anamoravës. Gjithashtu Dr. Hetemi ka qenë zyrtarisht i angazhuar si mjek me detyrë nga ZOK e UÇK-së.
Kjo është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për gjithë komunitetin shëndetësor.
Oda e Mjekëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij.