Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar këtë të premte se ka regjistruar të paktën 613 vrasje të palestinezëve në pika ku ofroheshin ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
Sipas raportimit të “Al Jazeera”, bëhet fjalë për vendndodhje të lidhura me Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF), i mbështetur nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe për karvanet humanitare që operojnë jashtë rrjeteve të OKB-së.
“Kjo është një shifër e regjistruar që prej 27 qershorit. Që atëherë… ka pasur incidente të mëtejshme”, deklaroi në Gjenevë zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani.
Nga 613 viktima, 509 janë vrarë në afërsi të pikave të shpërndarjes së ndihmave të GHF-së, sipas të dhënave të OHCHR-së. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton një bilanc më të rëndë, me mbi 650 të vrarë dhe mbi 4 mijë të plagosur, shkruan aljazeera.
GHF nisi shpërndarjen e ndihmave në fund të majit, duke ndjekur një model që, sipas OKB-së, nuk është as neutral dhe as i paanshëm, për sa kohë që incidentet e dhunshme vazhdojnë në afërsi të këtyre pikave. Organizatat për të drejtat e njeriut i kanë quajtur këto vende “thertore njerëzore”.
Zëdhënësi i mbrojtjes civile në Gaza, Mahmoud Basal, tha se kanë dokumentuar prova të vrasjes së qëllimshme të civilëve nga ushtria izraelite. “Më shumë se 600 civilë palestinezë u vranë në këto qendra,” tha ai. “Disa u qëlluan nga snajperë, të tjerë u vranë nga dronë, sulme ajrore ose me armë zjarri, ndërsa kërkonin ndihma.”
Një nënë palestineze, djali i së cilës u vra ndërsa përpiqej të siguronte ushqim, i tha “Al Jazeera”: “Humba gjithçka. Djali im na mbante. Unë varesha plotësisht prej tij. Ai ishte shtylla dhe themeli i jetës sonë.” Ajo i quajti qendrat e GHF-së “kurthe vdekjeje” dhe shtoi: “Në vend që të kthehemi me një qese miell, po na kthejnë si trupa.”
Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se spitali Nasser në qytetin Khan Younis po përballet me një fluks të jashtëzakonshëm pacientësh të plagosur nga këto zona, duke funksionuar si një “repart masiv traumash”.
Përfaqësuesi i OBSH-së në territoret e pushtuara palestineze, Rik Peeperkorn, deklaroi se stafi mjekësor ka raportuar për lëndime të përditshme që vijnë kryesisht nga vendet e shpërndarjes së ndihmave që nuk janë nën mbikëqyrjen e OKB-së. Ai përshkroi raste tronditëse, përfshirë një 13-vjeçar të qëlluar në kokë dhe një 21-vjeçar të plagosur rëndë në qafë.
Aktualisht, vetëm 16 nga 36 spitalet e Gazës mbeten pjesërisht funksionale, me një kapacitet të përgjithshëm prej rreth 1,800 shtretërish, numër që konsiderohet shumë i pamjaftueshëm për përballimin e krizës humanitare në rritje.




