Dy pacientë po dyshohet se janë infektuar me hepatit gjatë marrjes së dializës në Klinikën e Nefrologjisë në QKUK për shkak të gabimeve të stafit. Njëri tashmë ka konfirmuar hepatitin C, ndërsa tjetri është në pritje të analizave. Ky i fundit ishte shtrirë gabimisht nga infermierja në dhomën ku dializohen pacientët me hepatit C
Pacienti X, emër i njohur për redaksinë, ka 6 muaj që fle vetëm në shtëpinë e tij. Ai shërbehet me ushqim ndaras nga familja e tij, dhe enët e tij të kuzhinës nuk përzihen me të tjerat. Kjo për shkak se para 6 muajsh ai ishte shtrirë gabimisht nga infermieret në sallën HCV për të marr dializën. Në këtë dhomë dializohen pacientët me sëmundjen ngjitëse Hepatit C, shkruan Gazeta Shneta.
X. tani është në pritje të rezultatit të analizave, por kjo gjendje ia ka vështirësuar jetën edhe më shumë, pos dializës që duhet ta kryej çdo të dytën ditë. “Unë jam në dializë që 6 vjet. Atë ditë më kanë shti gabimisht, në vend të një pacienti tjetër. Motra më tha se duhet me shku në sallën tjetër se të kanë dal analizat keq. I thash kur i bona more unë ato analiza. Tha kur të vjen doktoresha të kallxon. Motra tjetër insistoj që mos me më shti atje, pasi duhej me u vaksinu”.
“Më shtinën në dhomën ku dializohen këta pacientët me sarillak. Ndejta 1 orë e 40 minuta e tani vrapuan me më hjek se thanë u bo gabim. Më kanë stresuar shumë. Që 6 muaj është dashur të ruhem nga familja. Më duket se e kanë shkarku atë motrën që ka gabu, por jo edhe motrën kryesore e cila gabimisht e ka shkruar emrin tem”, ka deklaruar pacienti X.
“Unë e kam imunitetin e dobët dhe nëse jam me këtë sëmundje ka me më dëmtu shumë. Ky është një gabim i madh i tyre. Është jetë e rëndë në dializë tash edhe me mu shty kjo sëmundje. Edhe më mundon shumë dializa, më shkon tensioni”, ka thënë ai, duke mos dashur të publikoj emrin për shkak të frikës për hakmarrje nga stafi pas publikimit të shkrimit. Ai i ka bërë thirrje institucioneve që të mundësohet transplanti i veshkës në QKUK, pasi gruaja e tij dëshiron që t’ia dhurojë këtë organ.
Pacienti tjetër Y, i cili poashtu heziton t’i përmendet emri, dyshohet se është dializuar në të njëjtin aparat ku ishte dializuar paraprakisht një pacient me hepatit C. Ai tanimë ka konfirmuar se është prekur nga kjo sëmundje, por thotë se nuk është i sigurt se si e ka marr. “Në dializë ndoshta me gjak, nuk e di. Unë jam i verbër, jam i operuar nga zemra, gishtat e këmbëve i kam amputu pas dëmtimeve nga sheqeri. Kur mi kanë bo analizat më than se tash me hepatit duhet me dal në tjetër dhomë”, ka deklaruar Y.
Rasti i tyre tashmë po hetohet nga Inspektorati Shëndetësor, pasi është raportuar nga infermierja e klinikës Fikrije Pllana. Në dëshminë e saj të deponuar në ISH, të cilën e ka siguruar Gazeta Shneta, shkruan se kryeinfermierja F. A. ka bërë gabim kur i ka vendosur pacientët në dializë.
“Pacientit X i ka vendos diagnozë me hepatit C, ku ka dhënë urdhër ta dializojë në sallën me hepatit C, kurse pacienti ka qenë negativ”, thuhet në deklaratën e saj. Ajo shton se pacienti i dytë Y. dyshohet se është dializuar në aparatin e njëjtë ku paraprakisht kishte kryer dializën një pacient tjetër i konfirmuar me hepatit C.
Gazeta posedon edhe dëshminë e infermieres F.B. e cila e kishte vendosur pacientin X. në sallën HCV. Ajo shkruan në dëshminë e saj se këtë e kishte bërë me rekomandim të kryeinfermieres F.A. e cila ia kishte përshkruar diagnozën pacientit me HCV Pozitiv, ndërsa edhe gojarisht i kishte thënë ta vendoste pacientin atje. Poashtu ajo shkruan se tek diagnoza e pacientit ka figuruar edhe emri i mjekes H.K.
Por ndonëse kanë kaluar rreth 6 muaj nga kjo ngjarje, menaxhmenti i Klinikës nuk ka ndërmarr asnjë veprim dhe asnjë masë ndaj stafit, të paktën që kjo të mos përsëritet më. Drejtoresha Dr. Venera Hasangjekaj-Gjuka, thotë se puna e tyre bazohet në udhërrëfyes ndërkombëtar dhe në bazë të tyre, nuk ka asnjë problem nëse pacientët me hepatit C apo HIV dializohen në sallat e njëjta me pacientët që nuk i kanë këto sëmundje. Sipas saj këto sëmundje nuk barten përmes aparateve të hemodializës.
“Sipas këtyre udhërrëfyesve pacientët me hepatit C dhe me HIV mund të dializohen në aparate dhe në hapësira ku dializohen të sëmurët negativ. Sa për informatë pacienti në fjale i ka përsëritur testet për hepatit B dhe C dhe kanë rezultuar negative”, ka deklaruar ajo. Hasangjekaj-Gjuka nuk është përgjigjur nëse ka marr ndonjë masë ndaj stafit. /Gazeta Shneta/