Ilir Pollomi, nxënës i klasës së 11-të në shkollën “Fan Noli” në Podujevë, është plagosur me armë zjarri në mëngjesin e sotëm.
Zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Ismet Beqiri, ka thënë për lajmi.net se ka qenë duke u zhvilluar ora, kur ka ndodhur ngjarja.
Plumbi sipas zëvendësdrejtorit ka ardhur nga jashtë.
“Rreth orës 8 të mëngjesit ka ndodhur ky aksident, ka ardhur një plumb qorr e ka plagosur një nxënës dhe e ka gërvishtur një tjetër. Nga jashtë ka ardhur plumbi, tash a është plumb qorr, apo i qëllimshëm nuk e di”, ka thënë ai për lajmi.net.
Sipas tij, nxënësi ka marr plagë në buzën e poshtme, ndërsa një nxënës tjetër është gërvishtur.
“Nuk e di, e kanë dërguar menjëherë në spital, është i plagosur në buzën e poshtme, por për fat nuk ka pasur pasoja shumë të rënda. Po ka qenë kujdestari i klasës duke mbajtur orën”, ka thënë Beqiri për lajmi.net.
Ndërsa Policia e Kosovës pritet ta lëshojë një komunikatë për media ku do të jap detaje të ngjarjes.