Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pacientëve po iu rrezikohet jeta nga shkalla e lartë e infeksioneve.
Një pacientë që kreu operacionin në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale u infektua me SEPS, një nga infeksionet më të shpeshta dhe më të rrezikshme në QKUK.
Vajza e këtij pacienti, Mirlinda, rrëfen për Radion Evropa e Lirë përvojën e babait të saj se si ka marrë infeksion pas operimit.
“Babin e kam në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Është operuar atje në Klinikën abdominale pas një problemi që e ka pasur. Operacioni ka shkuar mirë dhe e kanë lëshu në shtëpi, por pastaj i është keqësuar gjendja, dhe pasi e kemi dërguar në kontroll, mjekët kanë kuptuar se ka marrë infeksion, pasi CRP-ja (një analizë që tregon gjendjen e tij) ka qenë shumë e lartë. Prapë është shtrirë në spital dhe gjendja e tij ka qenë mjaft e rëndë. Ka fituar Seps dhe e gjitha është konstatuar se është fituar gjatë operacionit”, tregon Mirlinda.
Sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, shkalla e infeksioneve nëpër spitalet publike të Kosovës ka dalë të jetë më e lartë se 7 për qind.
Mirëpo, mikrobiologu Lul Raka nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo përqindje nuk është reale, pasi që siç thotë ai, duhet të jetë më e lartë. Ai nënvizon se përqindja e prezantuar, ka dalë si pasojë e mosdërgimit të të gjitha mostrave për analiza përkatëse.