Penjtë kirurgjik po vazhdojnë të mungojnë në QKUK dhe në spitalet rajonale. Përveç penjve, mungojnë edhe materiale tjera për operacione.
Mungesa e materialeve shpenzuese të cilat janë bazike dhe nevojiten për intervenime kirurgjike në spitalet publike fatkeqësisht po vazhdon edhe më tutje. Penjtë kirurgjik të cilët mungonin vitin e kaluar, vazhdon të mos ketë sërish në sallat e QKUK-së dhe spitaleve rajonale, shkruan Gazeta Shneta.
Gazeta ka pranuar ankesa nga një pacient të cilit i është kërkuar të blej penj kirurgjik në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK. Pacienti ka dërguar edhe një fotografi me llojet e penjve të cilët i janë përshkruar për t’i blerë.
Nga menaxhmenti i SHSKUK-së thonë se mungon vetëm një lloj i penjve kirurgjik për shkak të vonesës së liferimit nga operatori ekonomik.
“Te nderuar ,sa i perket furnizimit me penjë kirurgjik ju informoj se në perjashtim te penjëve nylon te gjitha llojet tjera posedojmë në Barnatoren Qendrore. Arsyeja e mungeses se këtij lloji është vonesa e liferimit ,pra jemi në pritje te liferimit nga ana e Operatorit Ekonomik”, thuhet në përgjigjen e shefes së Barnatores Qendrore, Shqipe Fetahu.
Por penjtë kirurgjik po mungojnë edhe në Spitalin e Mitrovicës. Madje atje nuk ka as gjilpëra spinale të cilat nevojiten për anestezion, si dhe është shpenzuar sasia e dioksidit të karbonit i cili është i nevojshëm për operacione laparoskopike.
Këto mungesa janë konfirmuar edhe nga menaxhmenti i spitalit. Nita Mustafa, zyrtare për informim dhe media në këtë spital, ka deklaruar që nga dhjetori i vitit të kaluar spitali është furnizuar vetëm me 20-30 për qind të sasisë së planifikuar të penjve, nga SHSKUK.
“Me penje kirurgjike furnizohemi nga SHSKUK, gjat muajit 04.05.2022 jemi furnizuar me sasi me te madhe te penjeve kirurgjike ndersa nga muaji 06.12.2022 kemi marr 20-30% te planifikimit nga Spialti jone. Gjate ketij viti presim te behet furnizimi i rregullt”, ka deklaruar Mustafa.
Ajo ka thënë se SHSKUK i furnizon edhe me gjilpëra spinale por që disa muaj furnizimi nuk është kryer.
“Gjilperat Spinale G25 mungojn per disa muaj per arsye sepse furnizohemi nga SHSKUK dhe atje ka skaduar kontrata”, ka thënë Mustafa.
Sipas saj spitali pritet të furnizohet këtë javë me dioksid të karbonit dhe se për shkak të mungesës së këtij materiali është anuluar vetëm një operacion javën e kaluar. /Gazeta Shneta/