Shoqata për të Drejtat e Pacientëve i ka dërguar një letër publike kryeministrit Ramush Haradinaj.
PRAK ka numëruar problemet që përballet sistemi shëndetësor dhe reformat që duhet të ndërmirren.
PRAK ka theksuar edhe hapat që duhet të merren për funksionalizimin e Sigurimeve Shëndetësore.
Lexoni letrën e plotë të PRAK:
Letër publike për z. Ramush Haradinaj, Kryeministër i Qeverisë i Republikës së Kosovës
I nderuar z. Kryeministër,
Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, në vazhdim PRAK, ju përgëzon për detyrën e re si Kryeministër dhe ju dëshiron punë të mbarë. Si shoqatë e themeluar në vitin 2013 në vazhdimësi jemi duke e përcjellë sektorin e shëndetësisë, me theks të veqantë atë të të drejtave të pacientëve. Siç e keni thënë edhe ju , gjendja në këtë sektor nuk është aspak e mirë. Në një analizë që i ka bërë shoqata jonë këtij sektori, kemi ardhur në disa përfundime të vlefshme ku kemi nxjerrë edhe disa rekomandime se si të dilet nga kjo gjendje.
Këto të gjetura na lejoni t’i ndajmë edhe me ju.
Një vështrim i shkurtër nga monitorimi i Sistemit Shëndetësorë nga PRAK
Kosova ka një Sistem Shëndetësor që nuk është në gjendje të volitshme. Qytetari ynë vdes dhjetë vite më herët se qytetari europian. Foshnjet tona vdesin trefish më shumë se ato në europë. Ka mungesë kuadri dhe ka mjek të papunë. Ka nënfinancim të theksuar dhe menaxhim joadekuat të buxhetit. Buxheti i Kosovës për shëndetësi është rreth 5-fish më i ulët se sa në vendet e rajonit. Në kërkim të shërimit, rreth njëqind milion euro në vit qytetarët i shpenzojnë jashtë vendit.
Forma e organizimit të Sistemit Shëndetësor “me provizion direkt”, siq e ka Kosova aktualisht, është dëshmuar se nuk jep performancë efikase, nuk i motivon ofruesit e shërbimeve për ta rritur cilësinë, dhe i inkurajon sjelljet jo-etike të personelit mjekësor. Se si të dilet nga kjo gjendja kemi edhe rekomandimet e OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), e cila rekomandon se opsion kryesor për përmirësimin e performancës së Sistemit Shëndetësor është “parapagimi” dhe “bashkimi i riskut”, që nënkupton “ndarjen e blerësit prej ofruesit” apo themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Po, deklarativisht të gjithë po pajtohemi se duhet filluar reforma me pjesën kyqe të saj, me Sigurimet Shëndetësore. Por është e pakuptueshme, e pa arsyetueshme dhe e pafalshme që po bëhen dy dekada pas luftës dhe ne akoma nuk kemi Sigurime Shëndetësore. (Të mos harrojmë, Ruanda për më pak se një dekadë nga gjenocidi që e pësoi, arriti ta funksionalizoj skemën e sigurimeve dhe konsolidoi sistemin shëdetësorë).
Sado që u tha se shëndetësia është prioritet, Qeveritë e kaluara nuk arritën që ta bëjnë reformën dhe të filloj së funksionuari Skema e Sigurimeve Shëndetësore. Nuk arritën që t’i bëjnë përgatitjet e duhura.
Andaj, nisur nga këto dhe shumë fakte të tjera të dalura nga analizat që i kemi bërë, ne si shoqatë kemi nxjerrur disa konkluzione dhe rekomandime të cilat duam t’i ndajmë me ju.
Të fillohet me kontraktimin e shërbimeve shëndetësore.
Për të filluar suksesshëm kontraktimi i shërbimeve shëndetësore, rekomandohet që të bëhen disa përgatitje dhe të shkohet nëpër disa faza:
- Të funksionalizohet Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Edhe pse me statut dhe rregullore të miratuara nga Qeveria, statusi i Fondit akoma nuk është i qartë. Të transformohet Këshilli Përgatitor për Themelimin e Fondit në Bord Mbikqyrës të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Me dhënien e kompetencave shtesë këtij organi drejtues i jepet një incentivë shtesë për një dinamikë më të përshpejtuar të punëve, por edhe të rritet llogaridhënia për detyrat ligjore që i ka.
- Të gjitha linjat buxhetore të dedikuara për shëndetësi të barten në xhirollogari të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Ligji për buxhet për vitin 2018 është në draftim e sipër dhe është nevojë imediate që të intervenohet që të gjitha buxhetet që dedikohen për shëndetësi: buxheti për SHSKUK; grantet komunale për shëndetësi etj, të barten në Fond. Meqë Fondi është bartës i vetëm i sigurimit të obligueshëm shëndetësor dhe i vetmi blerës i shërbimeve shëndetësore, duhet të fillohet që të bashkohen të gjitha risqet (risk pools) në një fond (pool) të vetëm.
- Fondi do të vazhdojë me “blerje pasive”. Ashtu siq është alokuar deri më tani buxheti në një organizatë të caktuar, ashtu edhe do të vazhdojë të alokohet. Dallimi i vetëm do të jetë se kjo do të ndodhë përmes Fondit: psh, në vend se të transferohet buxheti direkt në drejtorinë komunale për shëndetësi, ai së pari do të alokohet në Fond e pastaj nga Fondi në drejtorinë përkatëse. Kjo do të vlej për tërë organizatat apo institucionet shëndetësore publike në tërë vendin.
- Reforma në mënyrën e pagesës (si pjesë kyqe e reformës) të filloj në formë pilot projekti. Fillimi i reformës në këtë mënyrë ndikon ndjeshëm në uljen e riskut e dëmeve nga situatat e papritura. Regjioni i Prizrenit do të ishte i përshtatshëm të merret për pilotim të projektit. Kjo do të ishte për disa arsye: Ky regjion e ka të instaluar infrastrukturën e Sistemit të Integruar të Informimit Shëndetësor SIISH, gjë që është parakusht për implementimin e reformës. Ky regjion i mbulon me shërbime primare dhe sekondare shëndetësore rreth 350 mijë banorë apo rreth 20% e tërë popullatës në Kosovë.
Pse duhet të fillojë në formë piloti?
- Parakusht për implementim të sukseshëm të reformës, është SIISH (Sistemi i Integruar i Informimit Shëndetësor). Në Kosovë, shumica e vendbanimeve nuk e kanë të shpërndarë rrjetin hardëerik të këtij sistemi.
- Stafi aktual i Fondit është i mangët në numër dhe i pa trajnuar mjaftueshëm për tu përballur me sfidat që mund të dalin gjatë implementimit.
- SIF (Sistemi i Informimit i Fondit) është në proces të populimit (gjë që edhe aty ka vështirësi), por nuk është pilotuar dhe si pasojë, dëmet mund të jenë shumë më të mëdha nëse fillohet në tërë teritorin pa u pilotuar për problemet eventuale.
- Fondi dhe stafi i tij, aktualisht, nuk kanë madje as objekt të destinuar për zyra dhe hapësirë të punës.
Pa u përmendur të tjera parakushte, vetëm njëra nga këto do të kishte qenë faktor i mjaftueshëm që të mos fillohet projekti në tërë teritorin e Kosovës.
- Qeveria të fillojë me pagesën e premiumeve për të punësuarit në sektorin buxhetor. Kjo nënkupton vetëm pjesën e qeverisë si punëdhënës (3,5%) gjë që do të jet një buxhet shtesë për shëndetësinë, i filluar në kahje të duhur. Ky buxhet është i nevojshëm për të plotësuar mungesën e furnizimit me barna në kujdesin spitalor nga lista esenciale, si dhe një listë të kufizuar të barnave jashtëspitalore. Kjo do të i mundësonte qytetarit që t’i “prekte” përfitimet nga pagesa e premiumve, do ta rriste besimin në Fond si dhe do të inkurajonte ata që të paguajnë. Krijimi i besueshmërisë në Fond është një qështje tepër e rëndësishme për një fillim të suksesshëm të implementimit të Sigurimeve Shëndetësore.
- Të rishiqohet statuti i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar në Kosovë – SHSKUK. Ky rishiqim duhet të shkojë në drejtim të asaj që njësitë organizative të SHSKUK ta kenë autoritetin që drejtpërdrejt të negociojnë dhe hyjnë në mardhënie kontraktuale individuale me Fondin për shërbimet nga pakoja bazike e përfitimeve. Kjo do të shmangte situaten e monopolit kur një shitës i vetëm i shërbimeve spitalore publike do të përcaktonte çmimin e shërbimit dhe mënyrën e rimbursimit.
- Të përpilohet plani për përgatitje dhe fillim të pilotimit. Në këtë plan të detajohen përgatitjet e nevojshme për fillimin e projektit në formë piloti. Tentativisht të fillohet me kontraktimin e shërbimeve (si blerje pasive) në janar 2018. Të monitorohet realizimi i përgatitjeve në baza javore nga ana e Bordit dhe të raportohet në qeveri.
- Të përpilohet plani për zgjerim të projektit në tërë vendin. Në këtë plan të detajohen përgatitjet e nevojshme për fillim të mbledhjes së premiumeve dhe zgjerim të projektit në tërë vendin. Tentativisht të fillohet në janar 2019. Ndryshimet e nevojshme të ligjit dhe akteve të tjera nënligjore të kryhen brenda vitit 2018. Të zhvillohet një komunikim sistematik me publikun rreth skemës së sigurimeve të detyrueshme shëndetësore dhe dobisë që sjell skema.
- Të shpërndahet rrjeti hardverik i SIISH në të gjitha Institucionet Shëndetësore të vendit. Në këtë sistem duhet të përfshihen edhe Institucionet Private Shëndetësore. Rrjeti hardverik të shpërndahet në gjysmën e parë të vitit 2018 gjersa në gjysmën e dytë të vitit të bëhet trajnimi i stafit.
- Institucionet shëndetësore të dorëzojnë raportet vjetore dhe tremujore të punës. Të obligohet Ministria e Shëndetësisë që me Udhëzim Administrativ ta standartizoj formatin e raporteve vjetore për Institucionet Shëndetësore. Formati i raporteve duhet të jetë në harmoni me raportet e “Eurostat”.
Zotëri Kryeministër,
Sistemi shëndetësor në Kosovë sot, është një “El Dorado” për një numër jo të vogël të mjekëve. Çfarëdo tjetër që të jetë mënyra e organizimit të sistemit shëndetësor, për mjekët nuk do të jetë më shumë fitimprurëse dhe më pak llogaridhënëse. Rrjedhimisht jo çdo këshillë e çdo mjeku e ka qëllimin që ta ndryshoj këtë gjendje.
Jo rastësisht fjalën “shnosh” populli ynë e përdorë shumë shpesh. Pa shëndet nuk i duhet as ekonomia, as kultura, as asfalti, as… as….! Të gjitha të tjerat, pa shëndet, e humbin kuptimin.
Jemi të vetëdijshëm që këto kërkesa nuk janë të vogla dhe nuk janë të lehta. Por, Kosova duhet të kalojë nga “sistemi shëndetësor i orientuar në sëmundje” në “sistem shëndetësor të orientuar në pacient”.
Jemi të vetëdijshëm që Ju keni edhe shumë obligime të tjera shtetërore. Por, këto kërkesa, nuk janë kërkesa se ne i duam. Këto janë nevoja të domosdoshme që sistemi shëndetësor të marr një kahje të mbarë.
Në të kundërtën, një vend që të zhytë në varfëri vetëm se ti kërkon shërim aty, ai vend bëhet i pajetueshëm. Të thellë duhet ta ketë pasur dëshprimin postimi i mjekut nga Skenderaj kur shprehet “Lutem që femijët e mij të mos i zëjë viti në këtë vend !”.